Punëtorët e ndërmarrjes “Gjelbër” prej ditësh nuk i kanë marrë pagat. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka fajësuar qeverinë në detyrë dhe ministrin Hekuran Muratin për bllokim të buxhetit. E Murati i është kundërpërgjigjur atij me akuza për keqmenaxhim e mbipopullim të ndërmarrjeve komunale.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, janë përfshirë edhe në një përplasje në distancë, të hënën.
Rama ka njoftuar se punëtorëve e ndërmarrjes “Gjelbër”, e që më herët quhej Hortikultura, u janë vonuar pagat. Për këtë e ka fajësuar nivelin qendror dhe ministrin Murati, ndaj të cilit ka paralajmëruar padi.
“Kjo bllokadë, e cila po dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe shërbimet publike jetike të kryeqytetit, është e pajustifikueshme, e paligjshme dhe me prapavijë të qartë politike. Për këtë arsye, kemi iniciuar padi ndaj ministrit Murati dhe tre zyrtarëve përgjegjës për këtë pengesë të qëllimshme”, ka shkruar Rama.
Murati është përgjigjur me kundërakuza. Ai ka thënë se Rama ka keqmenaxhuar me ndërmarrjet publike komunale dhe i ka mbipopulluar me të punësuar, si dhe problemin me buxhetin e ka krijuar vetë komuna.
“Dështimi total në qeverisje nuk mbulohet me arsyetime të pavërteta, Përparim. Shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës. Kurse sa i përket buxhetit, qeveria qendrore nuk ka bllokuar e as që mund të bllokojë buxhetin e ndonjë komune. Komuna e Prishtinës e ka bllokuar vetveten duke mos e kaluar projektbuxhetin brenda afatit ligjor. Këtë e di mirë edhe Përparim Rama, por që i përballur me dështimet gjithandej pas 4 viteve keqqeverisje, mendon se mund t’i mashtrojë votuesit duke hedhur fajin tjetër kund”, ka thënë Murati.
Ndërmarrja “Gjelbër” merret me kujdesin dhe kultivimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Pronare e saj në masën 100 për qind është Komuna e Prishtinës.