LAJMET E MBRËMJES

QUINT-i mbështet grupin e serbëve që u kritikua nga zëvendëskryeministri Bislimi

Partnerë të besueshëm janë quajtur nga QUINT-i dhe BE-ja grupi i serbëve që ditë më parë u takuan me emisarin Miroslav Lajçak, takim për të cilin dha kritika zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Zëvendëskryeministri e quajti joneutrale qasjen e Lajçakut duke thënë se u takua me njerëz që angazhohen kundër integrimit të serbëve në Kosovë

Ambasadorët e vendeve të Quintit në Kosovë dhe ai i Bashkimit Evropian i dolën në mbështetje grupit të serbëve që një ditë më parë u kritikuan nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas takimit që ata patën me ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Bislimi ka thënë se Lajçaku nuk e ka prezantuar siç duhet delegacionin me të cilin u takua e që, sipas tij, janë kryesisht përfaqësues të OJQ-ve që angazhohen kundër integrimit të serbëve në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës.

Ambasadorët iu përgjigjën Bislimit me një fotografi të shkrepur nga një takim që kishin mbajtur pikërisht me këtë grup njerëzish, e të cilët i quajtën partnerë të besueshëm.

Këtë mesazh e dha ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

“Ambasadorët e QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia) dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t'u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës - të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka thënë Rohde.

Gjatë ditës së djeshme deklarimet e zëvendëskryeministrit i quajti shqetësuese raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, duke thënë se ato kanë efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve serbë në Kosovë.

Ndërsa Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian, një rrjet i organizatave të shoqërisë civile, ka thënë se qasja e Bislimit është kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane.

E këtij rrjeti të OJQ-ve i reaguar këshilltari i Bislimit, duke thënë se nëse ajo shqetësohet aq shumë për të drejtat e komuniteteve atëherë, le t’i trajtojë e t’i ftojë në takim me Lajçakun edhe me përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

Ky grup i serbëve, përfshin Sërgjan Sentiqin, zëvendës i Avokatit të Popullit në Kosovë, Jovana Radosavljeviq nga organizatat joqeveritare “Iniciativa e Re Sociale”, Miodrag Miliçeviq nga organizata “Aktiv”, Kim Isak Vorguçiq, drejtorin e RTV-së lokale dhe Dragisha Mijaçiqin nga grupi punues i Beogradit i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian.