Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Qendra e Prishtinës u shndërrua në skenë kujtese, proteste e festimi në 18-vjetorin e pavarësisë

18 vjet shtet

Foto: Driton Paçarada

Mijëra qytetarë zgjodhën Prishtinën për ta shënuar 18-vjetorin e pavarësisë. Dita nisi me festë e paradë ushtarake, por për shumë prej tyre vazhdoi me protestë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Mes flamujve kombëtarë e shtetërorë dhe jehonës së hapave të ushtarëve, qendra e Prishtinës u shndërrua në skenë kujtese, proteste dhe festimi për 18-vjetorin e pavarësisë.

Nga Qafa deri te Newborn, mijëra qytetarë mbushën të dyja anët e rrugës “Luan Haradinaj”, për ta përcjellë parakalimin e Forcës së Sigurisë dhe atë të Policisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Posaçërisht për këtë ditë ka udhëtuar nga Gjermania mërgimtari Abdurrahman Beqiri.

“Festojmë me shumë dëshirë të madhe. Kjo festë na kujton shumë gjëra të rëndësishme, për sakrificën e shumë luftëtarëve që kanë dhënë jetën për këtë liri dhe ne e çmojmë shumë dhe e festojmë me shumë dashuri”, tha Beqiri. 

Veli Morina ka qenë vetë ushtar. Rreth tri dekada më parë, ai iu bashkua UÇK-së për të luftuar për Kosovën shtet. 

Ai tha se për dy arsye zgjodhi ta festojë Ditën e Pavarësisë në Prishtinë.

“Kjo ditë për mu është shumë e rëndësishme sepse kena luftu për këtë ditë. Sot kam dalë për t’i parë forcat e Ushtrisë së Kosovës dhe gjithë popullin shqiptar, e tash në orën 14:00 do të marr pjesë edhe në marshin e veteranëve, sepse është për mbrojtjen e tyre, sepse ata janë të pafajshëm atje’, tha Morina. 

Në përvjetorë si Dita e Pavarësisë, Prekazi kthehet në një prej vendeve kryesore që vizitohet nga qytetarët. Por, shkaku i parakalimit dhe protestës, një banor i këtij fshati të Skenderajt udhëtoi për në kryeqytet.

“Kemi dal sot për me ju dhanë përkrahje çlirimtarëve të Kosovës. Ata nuk kanë luftu vetëm për shqiptarët e Kosovës, por kanë luftu edhe për krejt popullin që është në Kosovë, si për serbë, si për romë, si për ashkali”, tha një qytetar. 

E, Jakup Zolfaj tha se 17 shkurti mbetet data prej më të rëndësishmeve për Kosovën dhe u bëri thirrje të rinjve ta njohin më shumë historinë e shtetit.

“Brezave të rinj ju kisha thanë të mësojnë pak, që të dinë se çka ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Vetë fjala ushtri çlirimtare është e madhe, që të dinë për shtetësinë e Kosovës, për pavarësinë dhe ta duan shtetin tonë, vendin tonë, popullin tonë”, tha Zolfaj. 

Parada e ushtrisë dhe policisë në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është më e madhja e mbajtur ndonjëherë.