Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PZAP-ja refuzon të gjitha ankesat

PZAP

PZAP-ja ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike për deputetë, Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu, për rezultatin e zgjedhjeve. Të dy, në ankesa të ndara kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së. Gjithashtu është refuzuar edhe ankesa e Listës Serbe e po ashtu edhe dy ankesa të Nova Demokratska Stranka

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pesë ankesat e dorëzuara të hënën në lidhje me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka refuzuar të mërkurën.

Dy ankesa i kanë dorëzuar kandidatët e Partisë Demokratike për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu. Ata kërkuan rinumërim të plotë të votave preferenciale të kësaj partie.

Mirëpo në PZAP-ja, për herë të dytë ka vlerësuar se pretendimet nuk mbështeten në fakte materiale.

Sipas këtij institucioni, shkas për rinumërim të plotë nuk përbën as dallimi i Haxhiut me kandidatin e PDK-së që ka fituar ulëse në Kuvend, Rrustem Mustafën, vetëm 102 vota.

“Ndonëse kjo rrethanë mund të jetë relevante për interesin individual të ankuesit, ajo nuk mund të zëvendësojë kërkesën ligjore për paraqitjen e provave konkrete që do të arsyetonin urdhërimin e rinumërimit të përgjithshëm”, thuhet në vendimin e publikuar të mërkurën.

E tri ankesa të tjera ishin nga paritë e komuniteteve.

Lista Serbe u ankua për votat e partisë së Nenad Rashiqit, duke pretenduar se ato i ka marrë edhe në vendbanime shqiptare, ku ka pak ose hiç serbë.

Por PZAP-ja vlerëson se vota është e fshehtë dhe KQZ-ja nuk i ndan votuesit në bazë të etnisë.

“Në kuadër të sistemit aktual zgjedhor në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë bazë ligjore mbi bazën e të cilës do të mund të shpallen të pavlefshme fletëvotime në vendvotime të caktuara duke u bazuar mbi supozime për përkatësinë etnike të votuesve, përfshirë proporcionin në mes numrit të fletëvotimeve që mund të ketë fituar një parti, koalicion, nismë qytetare dhe kandidat i pavarur që deklaron që përfaqëson një komunitet dhe numrit të kalkuluar të votuesve të të njëjtit komunitet në vendvotime të caktuara”, thuhet në vendim.

Të së njëjtës natyrë ishin edhe dy ankesat e NDS-së të Emilja Rexhepit, njëra ndaj partisë së Rashiqit dhe tjetra ndaj Koalicionit Vakat.

Edhe ato u refuzuan nën arsyetimin e njëjtë.

Të gjitha ankesat në arsyetimin e PZAP-së, janë vlerësuar si të pabazuara.

Tash, nëse palët nuk i ankimojnë këto vendime në Gjykatën Supreme, për çka kanë kohë 48 orë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hapet rruga e certifikimit të rezultateve, pas të cilit hap mund të konstituohen institucionet.