Punëtorët e ndërmarrjeve “Infrakos” dhe “Trainkos” kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh brenda javës. Në “Infrakos” thanë se po përballen me sfida financiare, ndërsa në “Trainkos” nuk dhanë ndonjë qëndrim lidhur me kërkesat e punëtorëve për rritje të pagave e përmirësim të kushteve të punës
“Secili nga ne ka obligim të mbrojë vetveten, ta mbrojmë kolegun, pastaj edhe t’i shërbejmë organizatës në mënyrën e drejtë e ligjore. E kushtet janë zero tek punëtorët”. Këto janë ndër sfidat kryesore që e shtynë Ekrem Tahirin, punëtor i ndërmarrjes “Infrakos”, të protestojë të hënën me shumë kolegë të tij.
Kushte më të mira të punës e rritje të pagave ishin kërkesat që punëtorë të ndërmarrjeve “Trainkos” dhe “Infrakos” bënë për bordet drejtuese, në protestën e tyre të mbajtur në Stacionin e Trenave në Fushë-Kosovë.
Sipas Tahirit, rritja e pagave është hapi i parë që duhet të ndërmarrin bordet, teksa tregoi se ata përballen edhe me probleme të tjera.
“Pa uniforma, pa veshmbathje, pa vegla të punës së mjaftueshme. Ambientet ku punojnë janë tmerr. Ka vend pune që edhe ne kur kemi ardhur, para 40 vjetëve, ai vend pune nuk ka nyjë sanitare. Ujë të pijshëm nuk ka në vendin e tij të punës e duart ku t’i lajë nuk ka në vendin e tij të punës”, ka thënë Tahiri.
Në hapësirat e Stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë, punonjësit e këtyre dy ndërmarrjeve u dhanë një javë kohë bordeve drejtuese që të marrin masa, përndryshe paralajmëruan se do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
“Kjo është protesta e dytë dhe po besojmë se nëse nuk ka ndonjë rezultat ne gjatë kësaj jave do të organizojmë këshillin grevist dhe më datën 26 do të shpallim grevë totale në nivel të Kosovës. Pastaj do të bllokohen të gjitha arteriet, edhe qarkullimi, edhe administrata”, ka thënë Hysen Nikçi, kryetar i Sindikatës së “Infrakosit”.
E Florim Gjyrevci, kryetar i Sindikatës së “Trainkosit” thotë që paga minimale e një punëtori në ndërmarrje është afro 320 euro neto, teksa tregon që kërkesë e tyre është që paga minimale të jetë rreth 550 euro.
“Kërkesat tona nuk janë shumë të larta, sepse jeta është bërë shumë e rëndë, çmimet kanë shkuar shumë lart, inflacioni është bërë shqetësues për punëtorët. Ata nuk po kanë mundësi edhe për të ardhur në punë, për shkak se e kanë pagën shumë të ulët. Paramendoni një punëtor që duhet të shpenzojë 10 euro për të ardhur në punë dhe të fitojë 5 euro”, ka thënë Gjyrevci.
Në “Infrakos” thanë se pagat e punëtorëve lidhen me gjendjen jo të mirë financiare të ndërmarrjes, teksa shtuan se kërkesat e tyre do të shqyrtohen sapo të krijohen kushte më të përshtatshme ekonomike.
“Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – ‘Infrakos Sh.A’ njofton opinionin publik, mediat dhe të gjitha palët e interesuara lidhur me qëndrimin e saj ndaj kërkesave të ngritura nga Sindikata e Pavarur e ‘Infrakos Sh.A’. Që nga ndarja e sektorit hekurudhor në dy kompani të pavarura në vitin 2011, ‘Infrakos Sh.A’ është përballur me sfida të vazhdueshme financiare, kryesisht si pasojë e rënies së aktiviteteve të transportit hekurudhor dhe investimeve në rehabilitimin e linjës 10 hekurudhore.
Pavarësisht këtyre sfidave, ne kemi treguar përkushtim të vazhdueshëm për të përmbushur detyrimet ndaj punonjësve tanë për të përmirësuar kushtet e tyre të punës”, thuhet në përgjigjen e “Infrakosit”.
E në bordin drejtues të “Trainkosit” nuk dhanë një qëndrim lidhur me protestën dhe kërkesat e punëtorëve në këtë ndërmarrje.