LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët e KRM “Pastrimi” s’dalin në terren, s’duan t’i ndajnë punët me kompani të tjera

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, të martën nuk kanë dalë në terren për të kryer operimin, edhe pasi komuna ua ka kthyer borxhin e arkëtimit, ata s’po pajtohen që me operatorët e tjerë ekonomikë t’i ndajnë llotet e operimit. Punëtorët thanë se po kërkojnë të punojnë në zonat ku kanë punuar deri më tani. Kryeshefi i kompanisë Petrit Reçica ka ripohuar që mbeturinat e të gjithë kryeqytetit do të mblidhen vetëm nga “Pastrimi”.

Komuna e Prishtinës me ndërmjetësim ka bërë kthimin e borxhit të arkëtuar te kompania regjionale për mbledhjen e mbeturinave “Pastrimi”.

Mirëpo as kjo nuk ka mjaftuar që punëtorët e kësaj kompanie të martën ta vazhdojnë punën.

Ata kanë protestuar para objektit të ndërmarrjes duke thënë se nuk pranojnë që të tjerë operatorë ekonomikë që janë kontraktuar në muajin maj nga komuna, të operojnë në qendrën e qytetit.

Ata e akuzuan menaxhmentin për bashkëpunim me komunën.

“Asgjë nuk kemi kërkuar ne, vetëm të na lejojnë që ta kryejmë punën tonë. Ne kemi punuar tash e shumë vjet këtë punë. Mos të na pengojnë. Ne jemi lodhur nga dallaveret që i bëjnë mes vete. Ne e kemi vendimin e gjykatës që është pro neve. Mospuna e këtyre njerëzve na ka pru në këtë situatë, puna jonë e ka mbajte gjallë këtë vend”, tha punëtori Adnan Sinani.

Sinani thotë që hallin e vetëm e kanë humbjen e vendit të punës.

“Ne e kemi hallin e punës sonë, ne padrejtësisht po e humbim punën. Djersa jonë është kjo. Këtu janë 500 njerëz që punojnë në administratë që marrin rrogë pa punuar. Ne nuk kemi ku të shkojmë përtej këtij vendi. Njerëzit tanë nuk po na lënë me punu, këta na kanë dërguar te komuna dhe e gjithë çështja është te paratë”.

Kryeshefi i KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, deklaron që mbledhja e mbeturinave do të bëhet vetëm nga “Pastrimi”, për të gjithë kryeqytetin.

“Pengesë më nuk ka, ne kemi arritë që ta sigurojmë naftën dhe po besoj që nga sot (e martë), do të fillojmë me operimin. Arsyeja se pse punëtorët nuk kanë dalë në operim është sepse është kërkuar një takim nga ana e komunës, edhe ne kemi me kërku që ta kemi një raport më të detajuar të asaj se çfarë ka kryer punë operatori tjetër ekonomik sepse ndërmarrja jonë tash e tutje do të shërbejë në të gjithë territorin e Prishtinës”, tha Reçica.

Reçica ka pranuar se punëtorët e ndërmarrjes kanë pakënaqësi me operimin e operatorëve të tjerë.

“Realisht ka qenë pakënaqësi e punëtorëve tanë sa herë që është diskutuar operatori privat ne po e presim dhe të shohim. Nuk është më çështje e jona operatori privat sepse ne nuk e kemi kontraktuar. Është kontraktuar nga komuna dhe le të merren ata, ne do të kryejmë shërbimin sido që të jetë”.

Gjykata Supreme në fillimin e muajit qershor ka marrë vendim që të mbetet në fuqi rregullorja që përcakton që shërbimi i mbeturinave të paguhet direkt në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” dhe jo në komunë.