Deputetë të legjislaturës së nëntë do të mblidhen të shtunën, për të 28-tën herë, në përpjekjen e radhës për ta konstituuar Kuvendin. Por, përfaqësues të partive politike, as kësaj radhe nuk kanë dhënë sinjale për lëvizje nga qëndrimet e betonuara. E një “zgjidhje” për ta e ofroi në ditën e Kurban Bajramit, myftiu Naim Tërnava
Për të 28-n herë me radhë, deputetë të legjislaturës së nëntë do të mblidhen të shtunën, në përpjekjen e radhës për t’i dhënë konstituim Kuvendit. Shanset janë të vogla që kjo seancë të jetë ndryshe nga të tjerat. Përfaqësues të partive politike as të premten nuk kanë dhënë asnjë sinjal, se ky tentim mund të prodhojë sukses.
Por, një zgjidhje për ngërçin politik e ka propozuar me ironi myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë pritjes që i ka bërë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Bashkësinë Islame, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
“Desha t’i ftoj të gjithë anëtarët e Parlamentit ta presin nga një kurban. Ndoshta po u shkon më mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët”, ka deklaruar Tërnava.
E në përgjigjen për propozimin e Tërnavës, Kurti e ka bërë një disancim.
“Deputetëve rrogat po iu ecin...”, është shprehur Kurti.
Debatit i është bashkuar edhe njëri nga përfaqësuesit e Bashkësisë Islame në takim.
“Njëfarë mësyshi e keni...”, ka thënë ai.
Përpjekjen e fundit për konstituimin e legjislaturës së re, deputetët e patën të enjten, 24 orë pas asaj paraprake.
Vendimi që vazhdimi i 27-të i seancës të mbahet ndryshe nga praktika e mëparshme prej 48-orësh distancë nga njëra-tjetra, u mor pasi që data do të përkonte me të premten e ditës së Kurban Bajramit.
Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar që të zgjidhet për 6 herë radhazi
Të enjten ka dështuar për të 19-n herë formimi i Komisionit për votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Pavarësisht ngërçit të krijuar prej tash e 54 ditësh, taborët politikë - pushtet e opozitë - vazhdojnë të mbesin të barrikaduar në qëndrimet e tyre të kushtëzuara.
Vazhdimi i 28-të do të mbahet të shtunën nga ora 11:00, teksa të hënën bëhen 4 muaj, që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.