Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të re ndaj Aleksandër Vlajiq, nën dyshimin për spiunazh. Sipas organit të akuzës, ai ka shërbyer si agjent i BIA-s serbe, së cilës i ka dërguar informacione dhe dokumente të rëndësishme që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës e edhe jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe të qytetarëve të saj.
Një aktakuzë e re është ngritur ndaj serbit Aleksandër Vlajiq, i cili është duke u gjykuar edhe për sulm me bombë të ndërtesës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ndaj tij është ngritur edhe aktakuzë për spiunazh, nën dyshimin se ka shërbyer si agjent i BIA-s serbe.
“I pandehuri, A. V. akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit, më dt. 26.6.24, në cilësinë e agjentit rezident, ka mbledhur dhe i ka dërguar Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë informacione dhe dokumente të rëndësishme që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe të qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Speciale.
Prokuroria ka bërë të ditur se nga provat e siguruara, ka rezultuar se në organizatat ndërkombëtare në Kosovë, Vlajiq kishte krijuar një rrjet të të punësuarve të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së këtyre organizatave që, sipas aktakuzës, ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë brenda territorit të shtetit.
Prokuroria ka bërë të ditur se Vlajiq ka mbledhur informacione edhe për persona të nacionalitet serb, me qëllimin që t’i paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës.
“I pandehuri, informacionet dhe dokumentet e siguruara ia kishte përcjellë zyrtarit të lart të BIA-së, R. G., shef i njërës prej qendrave të BIA-së në territorin e Serbisë, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike. Po ashtu, të akuzuarit, gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi, një armë e modelit Crvena Zastava, dhe një spërkatës gaz lotsjellës, të cilat i janë sekuestruar në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që Vlajiqit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimit e shqyrtimit gjyqësor dhe ta shpallë fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet. Krahas tij, në paraburgim për spiunazh janë edhe Bedri Shabani, Muharrem Qerimi, Jelena Gjukanoviq dhe Hysri Selimi.