Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është paraqitur për herë të parë që pas arrestimit të enjten, ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Malishevës, Isni Kilaj. Mbrojtja i quajti të pabaza akuzat për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkelje të sekretit të procedurave, që atij i vihen për barrë, tek e kundërshtoi edhe kërkesën e Prokurorisë për mbajtjen e tij në paraburgim pa aktakuzë. Vendimi lidhur me këtë do të merret në seancën e caktuar për të hënën
Dy ditë pas arrestimit, me urdhër të zyrës së Prokurorit të Specializuar, ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj, është paraqitur për herë të parë të shtunën para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është njoftuar se atij në barrë i vihen vepra penale që përfshijnë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkelje të sekretit të procedurave.
Prokurori i Specializuar, Matt Halling, në parashtrimin e arsyes së arrestimit, tha se gjatë bastisjeve të kësaj jave në banesën e Kilajt, janë evidentuar dhe gjetur materiale konfidenciale e që ndërlidhen me dëshmitarët.
“Këto materiale lidhen drejtpërdrejt me proceset gjyqësore të VSK-së dhe ishte informacion konfidencial të cilin z. Kilaj ligjërisht nuk duhet ta mbante dhe nuk kishte asnjë autorizim për të pasur një informacion të tillë. Duke pasur një informacion të tillë, kjo është një arsye e bazuar për ne që të kuptojmë që ky material do të përdorej për të ndërhyrë në procesin e drejtësisë dhe pengimin e procesit gjyqësor”, ka thënë Halling.
Pasi kërkoi seancë private dyminutëshe për shpalosjen e disa informacioneve shtesë, ai theksoi se Kilaj duhet të mbahet në paraburgim, shkaku i rrezikut për frikësimin e dëshmitarëve.
“Ai ka rrezik ikjeje, përballet me vepra që mund të dënohet deri në 5 vjet. Ka arsye që të iki nga juridiksioni, përfshirë në vende të treta, ku mund të mos pranohet ekstradimi i tij. Natyra e materialeve të gjetura tregon gjithashtu se ekziston rreziku se z. Kilaj do të shkatërrojë, fshehë, ndryshojë apo të falsifikojë provat e një krimi apo se do të pengojë ecurinë e procesit, duke ndikuar te dëshmitarët viktima apo bashkëpunëtorët e tyre”, ka thënë tutje ai. “Në fakt materialet e gjetura sugjerojnë se z. Kilaj është marrë pikërisht me këto lloj sjelljeve dhe fushëveprimi i materialeve të sekuestruara tregojnë se është një lloj modeli i një sjellje penguese dhe ekziston kështu rreziku se do t’i përsërisë këto lloj veprash pa u ndaluar”.
Prokurori Halling ka thënë se rastet që trajtohen në këtë gjykatë zhvillohen në një klime të qartë të frikësimit të dëshmitarëve, dhe se “se kjo klimë ekziston, kjo tregohet ndër të tjera, shpallja fajtore e Gucatit dhe Haradinaj dhe konstatimi juaj i lidhur me çdo çështje të paraqitur përpara trupit gjykues”.
E mbrojtja e Kilajt, Iain Edwards, i quajti të pabaza pretendimet e Prokurorisë dhe kërkoi që atij t’i ndërpritet masa e paraburgimit, përderisa nuk ka një aktakuzë të ngritur ndaj tij.
“Nuk ka asnjë lloj prove se z. Kilaj është fajtor për asnjërën nga veprat për të cilat nuk është akuzuar, por që Prokuroria pretendon se i ka kryer. Siç thashë, janë shumë të pabaza dhe nuk mund të shqyrtohen. Jemi në fillim të këtij procesi, do të marrë kohë dhe kjo e cenon shumë z. Kilajn dhe ai nuk mund të qëndrojë në paraburgim që prokuroria të mbledhë prova dhe ta bëjë punën e vet”, ka thënë Edwards.
Gjyqtari Nicolas Guillou, kërkoi sqarime rreth kohëzgjatjes se përgatitjes së aktakuzës.
“Z. prokuror, a mund të jepni hollësi lidhur me afatin kohor. Edhe unë, sikurse avokati, dua të kuptoj se a bëhet fjalë për javë apo për muaj. Pra, kam edhe unë të njëjtën pyetje sikurse avokati”, ka thënë Guillou.
E prokurori i ZPS-së, Matt Halling tha se janë duke analizuar materialet e konfiskuara dhe sa më shpejt do të publikojnë edhe aktakuzën.
“Po punojmë sa më shpejt që të jetë e mundur që të analizojmë materialet dhe për ta përgatitur e dorëzuar aktakuzën sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet të analizojmë materialet që i kemi marrë nga kontrolli i banesës, veçanërisht ato që kemi diskutuar në seancë private. Ne po bëjmë të pamundurën”, ka thënë Halling.
Vendimi lidhur me kërkesën për vazhdimin apo jo të paraburgimit të Kilajt është caktuar që të mbahet në seancën e së hënës.
Gjykata njoftoi të premten se ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pasi është arrestuar nën dyshimin për vepër penale kundër administrimit të drejtësisë.