LAJMET E MBRËMJES

Presidenti ukrainas rrëfen luftën, Rama sjell në kujtesë historinë e Kosovës

Skenat e shkatërrimit, vrasjes dhe dëbimit si pasojë e agresionit të Rusisë mbi Ukrainën janë rrëfyer para Kuvendit të Shqipërisë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në vazhdën e adresimeve të bëra që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Zelensky përmes një video-lidhjeje i është drejtuar të martën Shqipërisë. Presidenti ukrainas ka falënderuar Tiranën zyrtare për rreshtimin krah Ukrainës dhe ka thënë se ky qëndrim e bën ta kujtojë Nënë Terezën.

“Ajo mësoi se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen. Unë besoj që së bashku me gjithë evropianët, ne do të jemi në gjendje ta ndalim këtë luftë. Po shikojmë ushtrinë ruse që po i gjuan fëmijët. Njerëzve të strehuar në bunkerë kanë filluar t’u ngrihen këmbët e duart. Në zonat e çliruara nga Rusia po varrosen njerëzit të cilët u gjetën të mbytur me duar të lidhura, e të vrarë pas koke. U kërkua nga Rusia të pushonte bombardimet gjatë Pashkëve, por nuk e bëri. Ata nuk duan të ndalojnë, duan të shkojnë më tej. Ata po bëjnë përpjekje për të ringjallur një tirani të tmerrshme”, tha Zelensky.

Ai ka kërkuar prej Shqipërisë që t’i kufizojë vizitat e turistëve rusë, si masë sanksionuese ndaj Moskës.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka numëruar veprimet që Shqipëria ka ndërmarrë në përkrahje të Ukrainës që prej nisjes së sulmit rus.

“Shqipëria gjithashtu i është bashkuar kësaj mbështetjeje në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në. Kemi mbështetur masat ekonomike dhe diplomatike të ndërmarra nga partnerët ndaj Federatës Ruse si dhe kemi orientuar ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj”, tha Nikolla.

Ndërkaq, kryeministri Rama në fjalën e tij ka sjellë rastin e Kosovës, duke shprehur solidaritetin me popullin ukrainas.

“Historia jonë e afërt ku gjysmë milioni shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehën në Shqipëri, na ndihmon ta ndiejmë nga larg dhimbjen e Ukrainës. Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainë, tërë Shqipëria dhe gjithë shqiptarët, përfshirë edhe Kosovën jemi rreshtuar krah jush me zemër, me mendje dhe me gjithçka kemi mundur. Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj në tryezën e NATO-s apo në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Rama.

Rama ka bërë të ditur se Shqipëria do të marrë pjesë edhe në konferencën e donatorëve për Ukrainën, e cila mbahet më 5 maj në Varshavë.

Shqipëria dhe Kosova u rreshtuan me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetje ndaj Ukrainës, në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.