LAJMET E MBRËMJES

Pranon fajësinë njëri nga pesë të akuzuarit për terrorizëm në maj të 2023-tës

Një i akuzuar ka pranuar fajësinë në nxitje terrorizmi përmes shpërndarjes së materialeve promovuese të ISIS-it në rastin ku pesë veta po akuzohen për nxitje terrorizmi. I pandehuri e ka pranuar edhe fajësinë për posedim të paautorizuar të armëve.

Një prej pesë të akuzuarve për shtytje në kryerjen e veprave terroriste dhe armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndërsa katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për veprat që iu vihen në barrë.

Në këtë rast Prokuroria Speciale vitin e kaluar ngriti aktakuzë ndaj pesë personave nga Komuna e Prishtinës, Pejës, Istogut e Gjilanit, meqë pretendon se kanë shpërndarë mesazhe të grupit terrorist Shteti Islamik të Irakut dhe Sirisë- ISIS, e dy prej tyre akuzohen edhe për posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari që ka pranuar fajësinë për të dy këto vepra penale, Liridon Beqiri, tha se nuk i dinte pasojat e veprimeve të tij.

“Më vjen keq çka ka ndodh, me kthy sun e kthej, u kanë gabim që sun ja fali vetit puna armëve, puna fotove. I kom dy evladë, kur jam kanë në burg kom menu shumë për ta, i kam ra pishman e ndiej veten fajtor. Ky send, kjo vepër nuk përsëritet nuk jam kanë në dijeni të peshës të veprës”, tha ai.

Prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, tha se të pandehurit kanë bërë fotografi me armë zjarri duke shpërndarë edhe mesazhe në youtube që promovojnë ISIS-in e xhihadin.

“Kanë bërë foto e video me uniforma, veshje të luftëtarëve të ISIS-it dhe armë të gjata duke gjuajtur dhe po ashtu në studion e të pandehurit Liridon Beqiri MOOSTDOPE FILM LLC kanë modifikuar dhe përkthyer video të cilat i kanë shpërndarë për publikun në Youtube në llogarinë me emrin Essunep TV video të cilat paraqesin pamje të luftëtarëve të organizatës terroriste, shteti islamik, ISIS, në të cilat video shihen vrasje masive ekzekutime dhe tortura ndaj njerëzve të zënë robër, si dhe thirrje për vetëcaktim e xhihad ‘si festa ime është xhihadi’ dhe muzika e saj janë plumbat që fluturojnë mbi kokën time”, theksoi Fejzullahu.

Avokatët e të pandehurve Besart Veselaj, Ernis Beqiri, Argjent Hoti e Altin Salihu, që u deklaruan të pafajshëm, propozuan heqjen e masave të arrestit shtëpiak.

Gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj tha se për këtë çështje do të vendosë brenda afatit ligjor për rishikim të masës së sigurisë që në këtë rast është 7 marsi.

Ndërkaq për të pandehurin që e pranoi fajësinë e caktoi një seancë për peshimin e dënimit, ku do të paraqiten argumentet për caktimin e lartësinë së dënimit të tij.

Seanca u caktuar për datën 6 mars.