Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë legjislaturën e re edhe të premten. Përpjekjen e fundit do ta bëjnë të shtunën, kur edhe do të përfundojë afati 30-ditor për konstituim i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë seancë kanë marrë pjesë diplomatë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, të cilët kanë bërë thirrje për konstituim të menjëhershëm të Kuvendit dhe i kanë kritikuar deputetët se me veprimet e tyre bllokuese e kanë zhgënjyer popullin e Kosovës
Prezenca e ambasadorëve të akredituar në Kosovë, e paralajmëruar qysh nga e enjtja, nuk ka ndikuar që deputetët ta përmbyllin me sukses seancën konstituive.
Në vazhdimin e 52-të të premten, prania e korit diplomatik e ka zbehur zhurmën e zakonshme të deputetëve në sallë, porse nuk e ka ndryshuar rrjedhën kronologjike të ngjarjeve.
Në fillim të seancës, kryesuesi Avni Dehari, sërish u ka kërkuar Partisë Demokratike (PDK), Lidhjes Demokratike (LDK), Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që të bëjnë propozime për anëtarë të Komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. Por përfaqësues të këtyre partive patën propozime të tjera për kryesuesin Dehari.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka kërkuar kryesuesit që të kthehet në rendin e ditës, të caktuar më 8 prill mes përfaqësuesve të partive politike me ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Dje e pamë edhe një vendim të ri, një masë të re nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Na kanë mbetur edhe më pak se 48 orë. I nderuar kryesues, propozimi ynë është i qartë, kthejuni rendit të ditës të dakorduar mes kryetarit Konjufca dhe liderëve të partive politike. Mos e shkelni Kushtetutën”, është shprehur ajo.
Kërkesë të ngjashme e adresoi në foltoren e Kuvendit edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“LDK-ja ka kërkesë, jo propozim, i nderuar kryesues, kthehuni në rend të ditës, na e jepni mundësinë të votojmë”, ka thënë Bajrami.
E, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka shprehur drojë se me agjendën që po e ndjek kryesuesi është duke u shkelur Kushtetuta.
“Aleanca ju kërkon t’i ktheheni rendit të ditës, respektojeni Kushtetutën dhe konstituojeni Kuvendin, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetueses. Përndryshe po bëni shkelje ligjore. Jeni duke e shkelur Kushtetutën”, ka deklaruar Kadrijaj.
Me propozimet e mëhershme, përbërja e Komisionit është hedhur në votim, porse i ka marrë vetëm 54 vota për.
Duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetueses, i cili është nxjerrë të enjten dhe i cili e parasheh pezullimin e seancës konstituive nga 27 korriku deri më 8 gusht, Dehari ka thënë se edhe një përpjekje për konstituimin e legjislaturës së re do të bëhet të shtunën.
“Duke e pasur parasysh që kjo masë hyn në fuqi ditën e diel, po ashtu që afati prej 30 ditësh për konstituim i vendosur nga Gjykata Kushtetueses përfundon nesër, atëherë, si kryesues i seancës konstituive dhe si përpjekje për konstituimin e Kuvendit, seancën e radhës do ta mbajmë nesër”, është shprehur Dehari.
E pas ndërprerjes së seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij ka dhënë mjaftueshëm alternativa për konstituim, ani se qe mbi 40 herë është provuar një alternativë e vetme, ajo për votimin e fshehtë dhe që ka dështuar që në formim të Komisionit për këtë proces.
“E kemi bërë propozimin tonë, i kemi bërë kompromiset e nevojshme, i kemi bërë të gjitha tentativat në mënyrë që t’i hapet rrugë konsitutimit të Kuvendit, megjithatë, në vazhdimësi e kemi sjelljen destruktive të opozitës”, ka theksuar ai.
Diplomatët perëndimorë: Kosova po hyn në territor të panjohur
Nga mungesa e rezultateve në përpjekjen e 52-të të deputetëve për konstituimin e Kuvendit, të zhgënjyer kanë dalë nga salla ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Aivo Orav, ka thënë se Kosovës i duhet menjëherë një Kuvend dhe një Qeveri e re.
“Unë dhe kolegët e mi diplomatë erdhëm këtu me shpresë të madhe dhe, për fat të keq, asgjë nuk ndodhi përsëri. Kosova ka nevojë për një Kuvend menjëherë. Kosova ka nevojë për një qeveri të re, një Qeveri të re që do ta ndërtojë urën e re. Urë të re dhe të fortë midis Kosovës dhe Brukselit, për ta shkëlqyer integrimin e Kosovës në BE”, ka theksuar Orav.
E, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se deputetët e kanë zhgënjyer popullin e Kosovës dhe se është fatkeqësi që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë karton të kuq Kuvendit.
“Jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për t’i formuar institucionet dhe mendoj se qytetarët që e dhanë votën më 9 shkurt, prej kur kanë kaluar tash pothuajse gjashtë muaj, klasa politike, do të thosha, po e zhgënjen popullin e saj. Dhe është shumë shqetësuese që parlamenti nuk mund të funksionojë. Do të thosha se Gjykata Kushtetuese dje e nxori gjithashtu një vendim, i cili, të flasësh me gjuhën e futbollit, është si të lëshosh karton të kuq, sepse po e pezullon parlamentin për ta marrë ndonjë vendim dhe kjo është për të ardhur keq”, është shprehur Rohde.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve që të bashkohen dhe ta gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka shkruar Hargreaves në një postim në “Facebook”.
Vazhdimi i 53-të i seancës do të organizohet të shtunën nga ora 14:00. Kjo tentativë do të jetë e fundit, para se Gjykata të dalë me një vendim më së largu më 8 gusht, në lidhje me pasojat kushtetuese në rast se Kuvendi nuk konstituohet.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja e mirëpresin masën e përkohshme, duan që vendimi të merret para 8 gushtit
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të enjten në mbrëmje për caktimin e masës së përkohshme, nëpërmjet së cilës ua ka ndaluar deputetëve që ta ndërmarrin ndonjë vendim a veprim, sa i përket seancës konstituive, pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituim.
Ky afat përfundon të shtunën dhe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga e diela e 27 korrikut dhe deri më 8 gusht pezullohen vazhdimet e seancës konstituive që tashmë janë bërë plot 52.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si veprim të duhur masën e përkohshme, e cila sipas tij është konstatim se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka shkelur Kushtetutën.
“Është shenjë e mirë që është vendosur masa e përkohshme, është një shenjë që kryesuesi e ka shkelur Kushtetutën dhe kjo është një përmbysje e rendit kushtetues. Ne presim të ketë dhe vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për lëndën tonë deri më 10 gusht”, ka thënë ai pas dështimit të seancës të premten.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka shprehur pritjen që Kushtetuesja ta marrë një vendim dhe që t’i sqarojë pasojat e moskonstituimit, edhe para datës 8 gusht.
“Dëshira jonë ka qenë që kjo të ndodhë tashmë, që të jetë një aktgjykim i publikuar para se të skadojë afati në mënyrë që ta kenë të qartë edhe deputetët se cilat janë pasojat dhe cilat janë veprimet. Është në të drejtën e tyre dhe po presim, shpresoj të publikohet para datës 8”, ka theksuar Krasniqi.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo masë është shpresëdhënëse, ngase pas dy javësh do të ketë zhvillime pozitive në drejtim të konstituimit.
“Na jep shpresë që pas dy javësh do të ketë edhe zhvillime të reja, ose vendim të ri të gjykatës, me një masë finale. Pra, kjo është ajo ndoshta e mira e kësaj”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërkaq, deputetja e LVV-së dhe njëherësh e propozuara për kryeparlamentare e partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Albulena Haxhiu, ka thënë që në rast se nuk ka reflektim nga deputetët deri të shtunën, atëherë i vetmi opsion janë zgjedhjet.
“Duhet pasur parasysh që as PDK-ja, as LDK-ja nuk kishin kërkuar masë të përkohshme. Megjithatë, duke e pasur parasysh aktgjykimin, Gjykata ka thënë që seanca duhet të ndodhë, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor. Është e natyrshme, normale që në këto rrethana, kur nesër kemi ditën e fundit, Kushtetuesja të marrë masë të përkohshme... Na ka mbetur sot, nuk do të thotë se nuk mund të ketë seancë edhe sot, edhe nesër, se pastaj më 27 korrik hyn në fuqi masa e gjykatës. Duhet reflektim nga deputetët. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që bashkërisht të mos e lejojmë një rrethanë që vendi të shkojë në zgjedhje. Ne jemi që të konstituohet Kuvendi. Por, nëse nuk ka reflektim, e vetmja zgjidhje mund të jenë zgjedhjet”, ka thënë ajo para nisjes së seancës të premten.
Zhvillimet e vetme për zgjidhjen e ngërçit politik kanë qenë negociatat e Lëvizjes Vetëvendosje me Nismën Socialdemokrate, të cilat kanë shkëmbyer oferta për bashkëpunim politik.
Deputetja e LVV-së, Haxhiu, ka thënë se partia është në pritje të përgjigjes pozitive nga Nisma, pas dorëzimit të ofertës.
“Ne kemi qenë shumë të gatshëm që t’i kemi partnerë në Qeveri dhe urojmë që ta kemi përgjigjen pozitive nga Nisma”, ka thënë Haxhiu.
Mirëpo, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, nuk ka dhënë sinjale se ky bashkëpunim mund të jetësohet të shtunën, në përpjekjen e fundit për konstituim, pasi ka thënë se është mirë të pritet aktgjykimi i Kushtetueses.
“Ta presim aktgjykimin e Gjykatës dhe të gjendet rrugë për t’i dhënë Kuvendit të Kosovës edhe parlamentin konstituimin, por edhe Qeverinë”, ka shtuar Limaj.
Për çështjen e konstituimit, Gjykata Kushtetuese i ka në trajtim tri kërkesa, një nga presidentja, një nga PDK-ja dhe një nga LDK-ja.