Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut ka nisur shqyrtimin e 10 kërkesave të Sindikatës së Policisë për përmirësim të kushteve të zyrtarëve policorë. Ndër kërkesat kryesore, të shtruara përmes peticionit të firmosur nga 5623 policë, janë sigurimet shëndetësore dhe ato jetësore
5623 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga 9008 sa janë gjithsej, kanë firmosur një peticion, përmes të cilit kërkojnë kushte më të mira.
Dhjetë kërkesat e paraqitura, të martën ka nisur t’i trajtojë Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Zyrtarët policorë kërkojnë: sigurim shëndetësor dhe jetësor, ligj për pensionimin, ndryshime në Ligjin e Pagave, shtesa të rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikim në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblime për fundvit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit dhe zbritje të përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vjetët e parë.
Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë, tha se ka pasur gatishmëri edhe më të madhe për nënshkrim të peticionit, porse pengesë kanë shkaktuar planet operative në veri.
“Realisht na kanë penguar çështjet operative në veri dhe që nuk kemi pasur mundësi që të gjithëve t’ua ofrojmë peticionin sepse të gatshëm për ta nënshkruar kanë qenë të gjithë”, tha Zeqiri.
Tek këmbëngul që sigurimi shëndetësor e ai jetësor duhet të jenë prioritet, Zeqiri tha se deri më tash, 24 policë kanë humbur jetën e 4700 janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Në Komisionin Parlamentar thanë se do t’i trajtojnë me prioritet kërkesat e Sindikatës.
“Unë mendoj që ne e kemi obligim ta marrim këtë peticion shumë seriozisht. Unë jam shumë e sigurt se edhe Qeveria është duke punuar në drejtimin e njëjtë”, tha kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje.
“Policia e Kosovës meriton më shumë. Përderisa ne po krenohemi me veprat e tyre mendoj që duhet t’i trajtojmë edhe më dinjitetshëm”, tha anëtarja e Komisionit, Albana Bytyqi.
Sipas udhëheqësve të Sindikatës, për shkak të pakënaqësive me kushtet, rreth 60 persona kanë dhënë dorëheqjen nga Policia këtë vit.