Veriu i Kosovës mbetet i tensionuar. Një natë më parë, dy qytetarë shqiptarë u sulmuan në këtë pjesë. Ndërkaq, gjatë ditës njësitet elitare të Policisë së Kosovës arrestuan serbin, Nenad Orlloviq, nën dyshimin për sulmin e 29 majit në Zveçan, ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u zotua se do të japë llogari secili i përfshirë në krim.
Mëngjesin e së premtes pjesëtarë të Policisë së Kosovës e arrestuan serbin Nenad Orlloviq si të dyshuar për sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Arrestimi i Orlloviqit nga Mitrovica e Veriut, që njihej me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, u realizua në afërsi të një autolarjeje, në një aksion të shpejtë të njësiteve elitare të Policisë, pas sigurimit të dëshmive se ai ishte i përfshirë në sulmin ndaj KFOR-it.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka thënë se Policia do të jetë e pakompromis karshi shkelësve të ligjit.
“Njerëzit janë sulmuar, janë sulmuar gazetarët, janë sulmuar policët, janë sulmuar KFOR-i, dhe në lidhje me ato sulme ne jemi duke i bërë këto arrestime. Nëse dikujt i duket e jashtëzakonshme që dikush e sulmon një gazetar dhe ne të mos marrim kurrfarë veprimi, atëherë është e palogjikshme”, ka thënë ai.
E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka theksuar se pandëshkueshmëria dhe amnistia e kriminelëve ndër vite u dha mundësi atyre që të kryejnë sulme ndaj KFOR-it.
“Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla.
Që prej tensionimit të situatës në veri, pas protestave të serbëve lokalë kundër vendosjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale, sulmet ndaj qytetarëve shqiptarë janë shpeshtuar. Në mbrëmjen e së enjtes cak sulmi u bënë dy të rinj shqiptarë.
Dy të rinj shqiptarë, të moshave 22 e 23 vjeç, mbrëmjen e djeshme janë rrahur nga rreth 20 serbë në rrugën “Mbreti Pjetër” në Mitrovicë të Veriut. Nga Policia e Kosovës kanë thënë se nuk kanë arritur ta kapnin asnjërin prej sulmuesve, disa prej të cilëve kishin qenë edhe me maska.
Zëvendësdrejtori i Policisë, Elshani, ka thënë se hetimet për rastin po vazhdojnë.
“Dy të rinj janë sulmuar nga disa persona të tjerë dhe janë lënduar. Njëri nga ta në fakt ka pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa tjetri jo. Ne e kemi hapur rastin, i cili është duke u hetuar. Deri më tani nuk kemi ndonjë të dyshimtë, por në momentin që do t’i identifikojmë do të marrim masa”, ka deklaruar Elshani.
E gazetari dhe analisti serb, Branislav Kërstiq, ka thënë se tensionet në veri nuk mund të qetësohen për aq sa në krye të Serbisë është Aleksandar Vuçiqi.
“Problemi në veri nuk është problem policor, por politik. Derisa e kemi atë diktatorin në Beograd, ne do ta kemi këtë situatë në veri të shtetit. Në qoftë se shteti ynë arreston edhe 200 njerëz, më duket se asgjë nuk është kryer”, ka thënë Kërstiq.
Ai ka thënë se paqe në veri të Kosovës nuk mund të ketë pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.