LAJMET E MBRËMJES

Policia dështon ta çojë në Gjykatë deputeten Fitore Pacolli

Ka dështuar të mbahet seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018, në mungesë të të akuzuarës Fitore Pacolli-Dalipi. Sipas gjyqtarit të rastit, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo shërbimi policor nuk e ka realizuar kërkesën, sipas tij. E akuzuara Fitore Pacolli-Dalipi, ka mohuar se ka marrë ftesë nga Gjykata. Në seancë, të pranishëm ishin tre të akuzuarit e tjerë

Në mungesë të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli-Dalipi, të mërkurën ka dështuar të mbahet seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të vitit 2018.

Pos Pacolli-Dalipit, për hedhje të gazit lotsjellës akuzohen edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deputeti Salih Zyba dhe ish-deputetja Drita Millaku.

Për të akuzuarën Fitore Pacolli Dalipi, gjyqtari Sabit Sadikaj tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo sipas tij, shërbimi policor nuk e ka realizuar kërkesën. 

Gjyqtari Sadikaj theksoi se urdhëresa do të përsëritet dhe do të shqyrtohet mundësia e urdhërarrestit apo paraburgimit.

Për këtë, ka reaguar deputetja Pacolli Dalipi, duke mohuar se ka marrë ftesë nga Gjykata për pjesëmarrje në seancë.

“Gjykata e ka adresën time të banimit dhe e di saktësisht ku banoj. Nëse vërtet kanë dërguar një ftesë dhe nuk më kanë gjetur në shtëpi, është obligim ligjor i shërbimit policor apo postës që të lënë një njoftim për praninë e tyre, qoftë për të caktuar një datë tjetër, qoftë për të më njoftuar që të paraqitem në gjykatë”, ka theksuar ajo.

Tre të akuzuarit e tjerë u paraqitën në seancë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Xhelal Sveçlës, Drita Millakut, Salih Zybës dhe Fitore Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Atë e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi më 21 mars 2018, nga ora 12:10 e deri më 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seancë plenare.