Krahas punishtes së armëve, Policia ka gjetur edhe tjetër sasi armësh të ndryshme gjatë bastisjes në bodrumin e një ndërtese banimi në Mitrovicë të Veriut. Në Polici kanë bërë të ditur se zyrtarë policorë aty kanë gjetur tre raketahedhës krahu, dy helmeta balistike, dy çanta ushtarake, një gazmaskë dhe një antiplumb
Autoritetet shtetërore kanë sekuestruar armë dhe kanë arrestuar një të dyshuar për importimin dhe eksportimin e armëve, pasi kanë ndërmarrë bastisje të mërkurën në disa lokacione në veri të Kosovës, ka njoftuar Prokuroria.
Policia ka gjetur një punishte të armëve në Mitrovicën e Veriut, të banuar kryesisht me serbë, me ç’rast ka sekuestruar “sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve, makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë”, është bërë e ditur në njoftim e Prokurorisë.
Bastisjet janë kryer nga Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, me urdhër të Gjykatës.
I dyshuari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është dërguar në mbajtje dhe akuzohet për disa vepra penale, përfshirë importim, eksportim, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim apo shitje të paautorizuar të armëve ose të materieve plasëse, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Autoritetet e sigurisë nuk kanë dhënë më shumë hollësi në lidhje me atë se nga cilat vende apo se në cilat vendet mund të ketë importuar dhe eksportuar armë i dyshuari.
E gjatë bastisjes tjetër në bodrumin e një ndërtese banimi në Mitrovicë të Veriut, Policia ka gjetur edhe tjetër sasi armësh të ndryshme. Në Polici kanë bërë të ditur se kanë pranuar informacione për armë në bodrumin e një banese në rrugën Kral Petri dhe se pas bastisjes së ndërmarrë, zyrtarë policorë kanë gjetën tre raketahedhës krahu, dy helmeta balistike, dy çanta ushtarake, një gazmaskë dhe një antiplumb.
“Nuk ka persona të arrestuar dhe policia është duke punuar në identifikim e të dyshuarit apo dyshuarve në këtë rast”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Lidhur me këtë bastisje ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka shkruar në një postim në Facebook se “terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia, si në rastet si ky sot, nuk kanë dhe nuk do të kenë më vend në Kosovë”.
Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka gjetur dhe ka konfiskuar armatim kohë pas kohe, veçanërisht në veri të vendit.
Më mars, autoritetet kanë arrestuar 16 të dyshuar, përfshirë edhe një zyrtar policor, për kontrabandë me armë gjatë një operacioni të gjerë policor në jug dhe në veri të Kosovës.
Asokohe, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati thënë se në mesin e të arrestuarve ka qenë dhe një zyrtar policor, i cili është pezulluar gjatë arrestimit.
Polici, i cili qe arrestuar, ka qenë nga radhët e komunitetit serb.