LAJMET E MBRËMJES

Përfaqësues të Serbisë ironizojnë me zgjedhjet në veriun e Kosovës

Përfaqësues të Serbisë janë krenuar me bojkotin që serbët e Kosovës e kanë treguar për zgjedhjet e parakohshme në komunat e veriut – Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin-Potok.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të ketë qenë e pritshme pjesëmarrja simbolike që është parë në të katër komunat.

“Sot po mbahen zgjedhjet për gaullauterë pushtues në veri të Kosovës. Po synojnë ta formojnë pushtetin ata që nuk jetojnë në veri të Kosovës. Dhe për gjithë këtë e kanë kërkuar edhe miratimin tonë, pajtimin tonë, ndërsa unë, me krenari, më duhet t’ju them se deri në këtë moment kanë dalë gjithsej disa serbë, nuk e kam tepruar, ishin gjithsej vetëm disa serbë në katër komuna bashkërisht”, tha Vuçiq.

E kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, postoi në Twitter fotografi të disa prej vendvotimeve, për të cilat tha se e përshkruajnë në të vërtetë kuptimin e zgjedhjeve.

“Zgjedhje të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe me mjete të blinduara! Kjo është Evropa në shekullin 21. Kjo tashmë bëhet normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovë”, shkroi Bërnabiq.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tek iu drejtua nga distanca ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, ironizoi me numrin e qytetarëve serbë që kanë votuar.

“Sveçla, me gishtat e njërës dorë mund të numërohen serbët që kanë dalë në zgjedhjet e rrejshme. Nuk e do populli serb okupimin që ju dëshironi ta vendosni. A nuk i shihni rrugët e zbrazëta. Nuk ka asnjë nënçmim nga Beogradi, vetëm terror nga Prishtina. Veriu gjithmonë do të jetë tokë serbe”, tha Petkoviq.

Lista Serbe, subjekt politik kryesor i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi zyrtar, vendosi për bojkot të zgjedhjeve. Kryetari i saj, Goran Rakiq, përsëriti thirrjen për bojkot.

Aktivistë opozitarë politikë që veprojnë në veri, alarmuan këtë muaj se votuesit e edhe kandidatët për këto zgjedhje, janë kërcënuar dhe shantazhuar nga Lista Serbe e edhe nga Qeveria e Serbisë.