LAJMET E MBRËMJES

Për të 28-n herë s’konstituohet legjislatura e nëntë

As të shtunën, deputetët nuk i dhanë epilog seancës konstituive të nisur më 15 prill. Përpjekja e 28-të nuk dha rezultat, ndërsa e radhës do të mbahet të hënën. Në këtë vazhdim të seancës u bë e 20-ta herë radhazi që deputetët nuk patën kuorum për ta formuar Komisionin për votim të fshehtë. E përfaqësues të pushtetit e opozitës së deritashme ia bartën sërish njëri-tjetrit përgjegjësinë për bllokadën

Më pak deputetë sesa në ditët e tjera të punës mblodhi e shtuna në sallë të Kuvendit, e kur sërish nuk pati numër të mjaftueshëm votash për ta siguruar konstituimin e legjislaturës së re. Të 85 deputetët që hynë, dolën brenda pak minutash, për ta përmbyllur edhe përpjekjen e 28-të për konstituim, pa sukses. Krahas numrit të deputetëve, ka rënë edhe ai i votave pro formimit të Komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. Për kanë votuar vetëm 48 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive nga radhët e pakicave joserbe. Në votim nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e konstatoi mungesën e kuorumit vendim-marrës dhe e caktoi vazhdimin e seancës së radhës për të hënën, në pajtim me Rregulloren e Kuvendit që nuk lejon ndërprerje më të gjatë se 48 orë të mbledhjeve konstituive.

“Për kanë votuar 48 deputetë, kundër nuk ka pasur, nuk ka pasur as abstenime. Nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës. Seanca ndërpritet, shihemi përsëri më 9 qershor në orën 11:00”, ka thënë Dehari.

E edhe pas dështimit të së shtunës, përfaqësues të pushtetit dhe të opozitës së deritanishme ia bartën njëri-tjetrit përgjegjësinë për bllokadën në Kuvend. Deputetja PDK-së, Vlora Çitaku, theksoi që nuk duhet të lejohet që situata aktuale të normalizohet. Ajo i bëri thirrje Vetëvendosjes që të lëvizë nga propozimi i saj për kandidaten për kryeparlamentare, derisa tha se PDK ka ofruar zgjidhje për të dalë nga situata.

“Nuk duhet të normalizohet kjo lloj situate. Kosova ka nevojë për institucione. Qytetarët e Kosovës na kanë votuar për të ofruar zgjidhje për ta e jo për të barrikaduar vetveten”, u shpreh ajo.
Ndërkaq deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nëse Vetëvendosje nuk mund ta konstituojë Kuvendin duhet të hapë rrugë për partitë e tjera.

“Nuk ka asnjë indikacion që Lëvizja Vetëvendosje ka bërë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë si parti e parë. Kjo është e tepërt çka po ndodh me institucionin e Kuvendit. Ata ose duhet hapur rrugë ose të krijojnë mundësi dhe mos të vazhdojnë me ngërçin që tashmë e ka kapluar një krizë dhe amulli politike në institucione qendrore dhe ka reflektim edhe në institucionet lokale”, ka thënë Zemaj.

Por, kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, që ka dështuar që të zgjidhet në pozitën e kryetares së Kuvendit për 6 herë radhazi, insistoi se partia e saj i ka votat për ta formuar Qeverinë.

Por, këto vota LVV duhet t’i sigurojë tek partitë opozitare mirëpo ato deri tash nuk kanë pohuar se kanë marrëveshje me partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Ne kemi thënë, i kemi numrat për qeverinë dhe le të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dinë që ne i kemi votat për Qeverinë dhe duke e ditur që i kemi votat për Qeverinë, e mbajnë peng Kuvendin e Republikës. Këtë e konfirmon një deklaratë e ish-ministrit të drejtësisë, deputetit aktual, zotëri Tahirit, i cili thotë që më e dëmshme është qeveria Kurti se bllokimi i kuvendit. Me këtë deklaratë, ata thonë që po e bllokojnë kuvendin sepse më e dëmshme se bllokimi është qeveria Kurti.”, ka thënë Haxhiu.

20 herë rresht ka dështuar të formohet Komisioni për votimin e fshehtë, i propozuar nga kryesuesi Avni Dehari, që është deputet nga radhët e LVV-së.