Komisioni për Legjislacion ka miratuar Kodin e Sjelljes së Deputetëve me të cilin për sjellje të pahijshme, një deputeti do t’i hiqen deri në 861 euro nga paga bazë 1722- euroshe. Me këtë kod parashihen edhe masa të tjera si; suspendim nga seancat plenare e mbledhjet e Komisioneve deri në 3 herë
Komisioni për Legjislacion ka miratuar të martën Kodin e Sjelljes së deputetëve, ndaj të cilëve parashihen masa e sanksione financiare në rast të sjelljeve joetike brenda punës parlamentare.
Ky kod pritet të sanksionojë kryesisht shkeljet e rënda të deputetëve, ku hynë dhuna fizike, gjuha e pahijshme, fyese e kërcënuese, ngacmimi seksual e konflikti i interesit. Në mesin e masave ndëshkuese, Kodi i cili shkoi për trajtim në Komision, parashihte sanksion financiar deri në 20 për qind të pagës, por me propozim të një deputeti shuma e gjobës u rrit në 50 për qind. Kësisoj, me këtë ndryshim, për sjellje të pahijshme brenda Kuvendit, një deputeti mund t’i hiqen deri në 861 euro nga paga bazë 1722-euroshe.
Në Komision, deputeti i LVV-së, Dimal Basha dha fillimisht një propozim për ndëshkim të deputetëve të “pasjellshëm” që ishte masë më e ashpër.
“Unë propozoj që ndëshkimi të mos jetë 20 për qind, por të jetë deri në 3 paga”, u shpreh Basha.
Por, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cilësoi si populiste këto propozime të Bashës, të cilat tha se duhet të vlerësohen nëse do të gjejnë zbatim.
“Ne mund të fusim këtu edhe çështje për të cilat mendojmë që dalim mirë në opinion por a mund t’i zbatojmë ato. Unë kam dilemat e mia nëse dikush e dërgon në Kushtetuese këtë, a është kushtetuese apo jo. Sepse mandati i deputetit është i lirë i përgjigjet vetëm qytetarit askujt tjetër”, u shpreh Selmanaj.
Meqë nuk gjeti mbështetje, Basha e zbuti masën.
“Duhet ta caktojmë, minimumin e ndëshkimit financiar, ta bëjmë 50 për qind të pagës bazë”, ka thënë Basha.
Përveç sanksioneve financiare, në rast të shkeljes së Kodit të Sjelljes parashihen edhe disa masa të tjera, që përfshijnë edhe suspendime nga seancat plenare e mbledhjet e Komisionit.
“Në rast të shkeljes së Kodit të Sjelljes, ndaj deputetit, mund të zbatohen masat ndëshkuese si vijon: Vërejtje me shkrim. Në rast të shkeljes së rëndë të përsëritur, deputetit/tes i shqiptohet vërejtje me shpallje publike në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme të Kuvendit; Suspendimi nga pjesëmarrja deri në tri (3) seanca plenare, varësisht nga niveli i shkeljes së kodit. Suspendimi nga pjesëmarrja deri në tri (3) mbledhje të komisioneve, varësisht nga niveli i shkeljes së kodit”, thuhet në Kod.
Varësisht shkeljeve, ndaj deputetit mund të shqiptohet më shumë se një masë.
Nivelin e shkeljeve do ta masë Këshilli për Etikë, i cili, do të përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve, katër do t’i përkasin shumicës parlamentare, tre opozitës dhe dy komuniteteve joshumicë.
Kryetari do t’i takojë shumicës e nënkryetari opozitës. Lartësia e kompensimit të tyre për secilën mbledhje do të caktohet nga kryesia me propozim të Komisionit për Buxhet. Çështja e ngritur në Këshill, merr vendim meritor brenda 15 ditëve.
KOHA kishte shkruar në fund të vitit të kaluar për draftimin e këtij Kodi, në të cilin, atëkohë parashihej që për gjuhën e veprimet e pahijshme, deputetët të dënoheshin më së shumti me 35 euro gjobë.