Konsultimet me partitë politike për situatën në Kuvend, presidentja Vjosa Osmani i ka vazhduar të enjten. Ajo ka takuar liderët e partive të komuniteteve joshumicë, si dhe të dy partive më të vogla shqiptare, të përfaqësuara në Kuvend
Ngërçi politik edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është diskutuar të enjten në takimin që presidentja Vjosa Osmani pati me liderët e partive më të vogla të përfaqësuara në Kuvend.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, e ai i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, pas takimeve të ndara me Osmanin, thanë se shpresojnë që institucionet të konstituohen brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.
“Takimi ka qenë i frytshëm, mirë ka shkuar, kemi biseduar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për hapa që duhet të merren ndoshta në të ardhmen, për shkak se nuk është sqaruar mbas 30 ditë çfarë do të ndodhë nëse nuk konstituohet Kuvendi”, tha Damka.
“U analizuan opsionet të cilat eventualisht do të vijnë me skadimin e afatit 30 ditësh, i cili, sipas meje, e ka një potencial të komplikimit të mëtejshëm të situatës, për të cilin besoj asnjë prej neve nuk është”, tha Rashiq.
Presidentja Osmani ka takuar edhe kryetarin e Iniciativës së Re Demokratike, Elbert Krasniqi, kryetaren e Bashkimit Socialdemokrat, Duda Balje, atë të Partisë së Re Demokratike, Emilja Rexhepi, Adem Hoxhën e Partisë së Bashkuar Gorane, Albert Kinollin nga Partia Rome e Bashkuar e Rasim Demirin nga Partia Demokratike e Boshnjakëve.
Ka takuar edhe kryetarin e partisë “Guxo”, Faton Peci, e atë të “Alternativës”, Mimoza Kusari-Lila.
Peci la të hapur mundësinë që Kushtetueses t`i drejtohet edhe vetë presidentja.
“Çështja është që ka paqartësi, se cili do të jetë veprimi dhe nuk është lehtë i parashikueshëm, as se cilat do të jenë konsekuencat. Në një rrethanë të tillë ekziston mundësia reale që edhe presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të qartësuar tutje çka ka dashtë momentin që ka vendosur afatin 30-ditësh”, tha Peci.
Një ditë më parë, presidentja Osmani takoi liderët e partive më të mëdha: Vetëvendosje, PDK, LDK e AAK.