LAJMET E MBRËMJES

PDK: Specialja s’do të duhej të shndërrohej në mekanizëm përndjekjeje

Partia Demokratike ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të mos lejuar mbrojtjen në liri të tre ish-udhëheqësve të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se vendimi i Speciales cenon të drejtat e të akuzuarve dhe ka bërë thirrje për reagimin edhe të institucioneve të Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Gjykatën Speciale për refuzimin e kërkesës së të akuzuarve Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi për t’u mbrojtur në liri.

Në një konferencë për media të enjten, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se vendimi i Speciales cenon lirinë dhe të drejtat e të akuzuarve.

“Mbajtja e tyre, së bashku me ish-presidentin Thaçi, për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim, përbën një shkelje flagrante të standardeve të drejtësisë perëndimore, standarde të cilat kemi besuar se do të respektoheshin me përpikëri nga kjo gjykatë. Pas përfundimit të fazës së Prokurorisë, kur çdo argument për ndonjë rrezik të mundshëm për ndikim në proces ka rënë, lirimi me kusht nuk do të duhej të ishte një privilegj, por një e drejtë e patjetërsueshme”, ka thënë ai.

Sipas Grudës, gjykata nuk do të duhej të shndërrohej në mekanizëm të përndjekjes.

“PDK ka mbështetur që nga fillimi funksionimin e papenguar të Gjykatës Speciale me bindjen e plotë se në këtë gjykatë do të garantohej e drejta për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme si gur themel i të gjitha lirive dhe drejtave të njeriut. Për vlerësimin tonë një gjykatë në zemër të Evropës nuk do të duhej kurrë të shndërrohej në një mekanizëm përndjekjeje aq më pak në emër të drejtësisë dhe viktimave të luftës”, ka thënë Gruda.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale që në vendimet e saj të jetë e prirë nga faktet e jo nga perceptimet.

Ai ka kritikuar edhe institucionet në Kosovë për, siç ka thënë, mosofrimin e garancisë për mbrojtjen në liri të të akuzuarve.

“U bëjmë thirrje sot institucioneve të Kosovës që të marrin një rol aktiv ndaj këtyre garancive, sepse jemi të bindur se procesi në Hagë dhe epilogu i tij nuk janë thjesht çështje individuale për të akuzuarit, por janë një çështje thellësisht me rëndësi themelore për historinë dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës”, ka thënë Gruda.

Ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Veseli, Krasniqi e Selimi së bashku edhe me ish-presidentin Hashim Thaçi janë duke u mbajtur në paraburgim që nga arrestimi i tyre në nëntor të vitit 2020.

Ata nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit gjatë viteve ‘98-‘99.