LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja padit ZRRE-në, thotë se vendimi i saj po rrezikon stabilitetin ekonomik të vendit

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke kërkuar anulimin e njoftimit për daljen në treg të hapur të energjisë për mbi 1 mijë e 300 biznese. Sipas PDK-së, ky vendim tashmë ka filluar të prodhojë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për bizneset e prekura.

“Efektet e këtij vendimi po rrezikojnë seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit përmes rritjes së çmimeve, nxitjes së inflacionit dhe kërcënimit për falimentimin e një numri të madh të bizneseve. Krahas padisë kryesore, PDK ka kërkuar nga gjykata edhe caktimin e masës së sigurisë – pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij vendimi – në përputhje me nenin 100 të Ligjit Nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative, për të parandaluar dëmet që po shkaktohen çdo ditë”, thuhet në njoftimin e PDK-së. 

Vendimmarrja e ZRRE-së, sipas PDK-së, ka cenuar jo vetëm të drejtat ligjore të konsumatorëve që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro apo që punësojnë mbi 50 persona, por ka goditur edhe interesin ekonomik të qytetarëve. 

“Procedura paraprake e ndjekur pranë ZRRE-së e ka konfirmuar plotësisht shqetësimin tonë të kamotshëm: ky institucion nuk ka nxjerrë asnjë vendim përfundimtar administrativ për liberalizimin e tregut, por ka përdorur një njoftim të thjeshtë, për të imponuar një detyrim të rëndë ndaj sektorit privat. Ky veprim është bërë në mënyrë të qëllimshme, me synim shmangien e kontrollit gjyqësor”. 

E në ZRRE kanë thënë se deri më tani në të gjitha proceset e konflikteve administrative të iniciuara nga palët në procedurë lidhur me kërkesat e tyre për pezullimin e zbatimit të njoftimit për dalje në treg të hapur të energjisë, gjykatat kompetente i kanë refuzuar si të pabazuara. Sipas ZRRE-së, procesi i liberalizimit është i bazuar në dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085, dhe në vendimin përkatës të ZRRE-së për daljen në treg të hapur. Nga 1 qershori, mbi 1 mijë e 300 biznese janë detyruar të dalin në treg të hapur, duke zgjedhur vetë furnizuesin. ZRRE-ja për ato biznese që nuk kanë gjetur furnizues ka angazhuar KEK-un si furnizues fundor për një periudhë gjashtëmujore.