LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja e LDK-ja s’e mbështesin AAK-në në mocionin kundër Kurtit

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka kërkuar dy subjekteve të tjera opozitare, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, që të deklarohen se pse nuk po i japin mbështetje mocionit të mosbesimit të iniciuar nga partia e tij për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Haradinaj konstatoi se opozita nuk po ka guxim. Mirëpo kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, iniciativën e AAK-së e quajti tendencë për protagonizëm nga partia e fundit në skenën politike

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbetur e vetme në iniciativën e saj për të proceduar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Në seancën plenare të së enjtes, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u kërkoi Partisë Demokratike e Lidhjes Demokratike që të deklarohen se pse nuk po i japin mbështetje mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

“Çka është duke ndodhur tek opozita? Ku e keni problemin kolegë opozitarë PDK dhe LDK që po mendoni ende se kush përfiton? Vetëm një përfitues është, Kosova dhe interesi ynë. Unë nuk shoh më detyra të zakonshme për vete në këtë parlament derisa nuk deklaroheni si i ka hije pse nuk e keni guximin?”, ka thënë Haradinaj.

Pyetjes së Haradinajt nuk iu përgjigj asnjëri prej deputetëve të PDK-së e LDK-së, që ishin prezentë në seancë.

Por jashtë saj, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kjo po bëhet për protagonizëm dhe se, sipas tij, nuk mund të ndërmarrë veprime të tilla një parti që është e fundit në skenën politike.

“Tendenca për ta luajtur rolin e një protagonisti, pa e pasur mundësinë për ta bërë një gjë të tillë, unë mendoj që nuk u ndihmon as atyre partive, në këtë rast as AAK-së e aq më pak zhvillimeve politike në vend”, deklaroi Krasniqi.

Haradinaj vlerëson se rrëzimi i kryeministrit Albin Kurti nga pushteti është zgjidhja e vetme pas krisjes së raporteve me aleatët.

Për këtë shprehën kritika edhe partitë e tjera opozitare. Madje në seancë kryeministrit iu kërkua që t’i kërkojë falje sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Shumica e popullit të Kosovës që kanë votuar për partinë në pushtet asnjëherë nuk kanë votuar për cenim të raporteve me aleatët tanë. I bëjmë thirrje kryeministrit t’i kërkojë falje publike Blinkenit”, ka thënë deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu.

Në seancën e së enjtes u zhvillua edhe interpelanca me ministrin e Financave, Hekuran Murati, e thirrur nga AAK-ja për rishikimin e buxhetit dhe rritjen e pagave në sektorin publik.

Opozita kritikoi pushtetin për menaxhimin e parasë publike, derisa nga AAK-ja u kërkua rritja e vlerës monetare të koeficientit të Ligjit të Pagave nga 105 në 129 euro.

“80 mijë njerëz presin nga ju sot të reflektoni mbi kërkesën e Aleancës për rritjen e koeficientit në 129 euro”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i Grupit parlamentar të AAK-së.

E sipas ministrit Murati, asnjë prej shifrave të prezantuara nuk ishte e saktë.

“Ju lutem nëse doni debat e diskutim kredibil, referojuni shifrave të sakta!”, u shpreh Murati.

Gjatë interpelancës së ministrit të Financave nuk pati shumë interesim nga deputetët e PDK-së e të LDK-së për të qëndruar në sallë për diskutim.