Punëtorë të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” e kanë vazhduar edhe të premten grevën për kushte më të mira pune dhe për rritje pagash. Ata janë zotuar për vazhdimin e kësaj mase sindikale, pasi që zgjidhje për kërkesat e tyre nuk është gjetur as në takimin që ata kanë zhvilluar me përfaqësues të Komunës së Prishtinës. Zgjidhje nuk e kanë kualifikuar as kontratën 1.5 milionë eurosh që e kanë firmosur me Komunën e Prishtinës për mirëmbajtjen e hapësirave publike
Me vendosjen e një tende në oborrin e Komunës së Prishtinës, punonjës të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” e kanë vazhduar të premten, për të dytën ditë, grevën për sigurimin e kushteve më të mira të punës dhe të rritjen e pagave.
Përfaqësues të punëtorëve kanë mbajtur një takim me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, porse kanë thënë që gjatë tij nuk është bërë zgjidhje për kërkesat e tyre.
Pas takimit, nënkryetari i Sindikatës së “Pastrimit”, Shpend Qosja, ka paralajmëruar se greva e nisur të enjten do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave për ekzekutimin e pagesës për muajt janar-maj, për nënshkrimin e kontratës bazike për shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë, për zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes, përmes marrëveshjes së qëndrueshme që garanton mbështetje institucionale dhe financiare, për ndërprerjen e kontratave me operatorë privatë që ofrojnë shërbime paralele, për konsultimin e domosdoshëm me KRM “Pastrimi” për çdo vendim që prek operimin në territorin e Prishtinës dhe për respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve, përfshirë trajtimin me përgjegjësi institucionale.
“Komunarët shprehën gatishmëri për të na ndihmuar, por zgjidhje nuk na bënë, se derisa nuk bëjnë zgjidhje për pikat tona bazike, atëherë ne nuk mundemi me dalë në punë, sepse nuk kemi mjete”, ka theksuar ai.
E në Komunën e Prishtinës kanë njoftuar se janë duke u shqyrtuar mundësitë për zgjidhjen e çështjes, teksa e kanë kualifikuar si të panevojshëm qëndrimin e punëtorëve të “Pastrimit” para objektit komunal.
“Njëra ndër kërkesat kryesore – kontrata për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh, tashmë është nënshkruar nga të dyja palët. Sa u përket kërkesave të tjera, përfshirë pagesën retroaktive për pesë muaj dhe nënshkrimin e kontratës bazike për shërbime të rregullta të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës, është propozuar që të shqyrtohen mundësitë për zgjidhje brenda kompetencave ekzekutive dhe legjislative të kryeqytetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Në kompaninë “Pastrimi” kanë konfirmuar se e kanë firmosur kontratën 1.5 milionë eurosh me Komunën për mirëmbajtjen e hapësirave publike. Porse këtë nuk e kanë kualifikuar si zgjidhje për problemin kryesor.
“Kjo kontratë nuk e adreson problemin themelor, i cili ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave nga qyteti, si dhe me pagesat e papaguara për më shumë se katër muaj. Këto mjete janë thelbësore për të siguruar furnizimin me naftë dhe për të rifilluar menjëherë operimin e rregullt, duke garantuar gjithashtu edhe stabilitet financiar afatgjatë”.
E pas takimit të së premtes që është përmbyllur pa zgjidhje, punëtorë grevistë e kanë përcjellë drejtorin për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, me thirrjet “hajn, hajn”.
Nga 14 maji, ndërmarrja “Pastrimi” e ka ndërprerë mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet, me justifikimin se Komuna e Prishtinës nuk ia ka shlyer borxhin prej 2.7 milionë eurosh.
Në Komunën e Prishtinës kanë mohuar se i kanë borxh “Pastrimit”, teksa e kanë akuzuar ndërmarrjen për sabotazh.