LAJMET E MBRËMJES

Pas punonjësve të sektorit publik, edhe punëtorët teknikë kërcënojnë me grevë

Punëtorët teknikë të sektorit privat, por që janë të angazhuar me punë në institucione publike, kanë kërkuar të enjten rritje të pagës minimale dhe largimin e kushtëzimit për mbështetjen e sektorit privat në masat e fundit të Qeverisë, në kuadër të pakos për përballjen me inflacionin. Mbështetjen për sektorin privat Qeveria e ka lënë në kapacitetet e punëdhënësve, për të cilët janë paralajmëruar subvencione për tre muaj po qe se punëtorëve ua rrisin pagat

Punëtorët teknikë të kompanive private që punojnë në sektorin publik kanë kërcënuar të enjten me grevë po qe se nuk do të ketë rritje të pagës minimale dhe nuk do të largohet kushtëzimi rreth mbështetjes financiare për sektorin privat.

Në kuadër të pakos së re ekonomike prej 150 milionë eurosh, të prezantuar të shtunën, Qeveria ka paraparë mbështetje financiare në përballjen me inflacionin për pensionistët, studentët, punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe ata të sektorit publik, porse ka lënë jashtë saj punëtorë të sektorit privat. Për punëdhënësit e tyre janë paraparë subvencione prej 50 për qind, apo maksimum 100 euro për tre muaj të parë, po qe se do t’ua rrisin pagat punëtorëve.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, i ka kërkuar Qeverisë, pas një takimi të jashtëzakonshëm me udhëheqësit e shoqatave sindikale, që mbështetja financiare të përfshijë edhe punëtorët teknikë që i përkasin sektorit privat e që punojnë në institucionet publike.

“Kjo qeveri që po thotë të paguan 50 për qind nga kompanitë, ju bëj me dije që në Gjilan ka kompani të punëtorëve teknikë që 3 muaj ditë nuk kanë marrë paga. Merreni me mend, pagën që e kanë kryer punën nuk e kanë marrë. E ne të na kushtëzohet me gjysmën e pagesës nga ajo kompani është qesharake dhe kam bindje që është bërë e qëllimshme, që Qeveria të thotë se ‘përfundova punën, tash ju mbetet pronarëve të kompanisë’”, ka thënë Azemi. Ai ka bërë të ditur se vetëm në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) janë aktualisht 600 punëtorë teknikë. Ka kalkuluar se me rritjen e pagës së tyre prej 50 eurosh, vlera mujore e rritjes kap shumën prej 30 mijë eurosh. Këtë shumë ai ka thënë se kompanitë punësuese nuk arrijnë ta sigurojnë për 2 deri në 3 muaj.

“Nuk po të shantazhojmë. Nuk po t’i fusim dy këmbët në një opingë. Por po të lutemi që të gjitha kompanive private t’ia heqësh kushtëzimin, sepse nuk e ngarkon buxhetin e Kosovës. Atë buxhet që e ka paraparë, që është diku 30 milionë, t’i shpërndajë te kjo pjesë e varfër dhe mos ta lërë në fondin e Qeverisë”, ka theksuar Azemi, duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

Kritika rreth kushtëzimit të mbështetjes për punëtorët e sektorit privat kanë adresuar ndaj Qeverisë edhe përfaqësuesit e punëtorëve teknikë.

Hysni Gashi, përfaqësues i punëtorëve teknikë në Universitetin e Prishtinës, ka shprehur pakënaqësinë se askush nuk po tregon mëshirë për punëtorët që i kanë pagat më të vogla.

“Qe një javë janë në grevë shërbyesit civilë, e Qeveria i shpërblen me 50 euro. Ndërsa ne që nuk e kemi ndërprerë punën asnjë ditë mbesim në mëshirën e askujt. Do të thotë për ne nuk jep përgjegjësi askush. Ne paguajmë taksa dhe të gjitha i paguajmë dhe këto çmime nuk janë rritur vetëm për sektorin publik, por edhe për ne që na kanë dëmtuar më së shumti dhe që jem me paga ma të vogla”, ka theksuar Gashi.

Adem Borovci, përfaqësues i punëtorëve të sigurimit në QKUK, ia ka kujtuar kryeministrit Kurti premtimet e dhëna rreth rritjes së pagës minimale.

“Kryeministri qysh nga viti i kaluar, më 1 maj, ka thënë se do të rritet paga minimale. Por, siç po duket, dëshiron ta lërë deri në fund të mandatit të tij dhe atëherë të blejë vota prej punëtorëve dhe kompanive”, ka thënë ai.

E Sabri Ejupi, përfaqësuesi i sigurimit fizik në QKUK, ka thënë se ekziston presion nga punëtorët për hyrje në grevë.

“Ne si shoqatë kemi presion prej punëtorëve të sigurimit që do të shkojmë në greva. Grevat janë të pashmangshme. Në këtë rast duhet patjetër”, ka thënë ai.

Pagat e punëtorëve teknikë sillen rreth 180 euro, teksa këta punëtorë kanë protestuar disa herë deri më tani, duke kërkuar rritjen e pagës dhe kushte më të mira të punës.