Pas derivateve, Qeveria ka paralajmëruar se është duke shqyrtuar mundësinë edhe për marrjen e masave ligjore për produktet bazike, në mënyrë që t’i mbrojë konsumatorët.
Çmimi tavan apo caktimi i marzhës tregtare për grurin, miellin, bukën, vajin, vezët, pastat, qumështin, kripën, detergjentin, janë dy mundësitë që janë duke u shqyrtuar nga ekzekutivi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se vendosja e masës do të varet nga analiza e situatës.
“Ashtu sic kemi vepruar me naftën, mund të veprojmë edhe me produktet e tjera, por kjo varet prej analizës së situatës nga vet grupi punues. Nuk po them sot si ministri se do të vendosim çmim tavan, por do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet sepse jemi të informuar në bazë ditore nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, u shpreh Hajdari.
Edhe pse gjatë majit ka pasur rënie të çmimit të miellit dhe grurit të importuar për 7 për qind, disa furra në Pejë, Gjilan e Prizren kanë rritur çmimet e bukës.
“Pas hulumtimeve të bëra nga grupi punues ne kemi konstatuar si në vijim: marzha tregtare e artikujve esencialë ndonëse tregu i lirë ka një dallim të lartë në mes të operatorëve ekonomikë, ku mesatarja e marzhës tregtare të të gjithë operatorëve ekonomikë varion nga 8 deri në 19.40 për qind varësisht nga produkti”, shtoi ajo.
Kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, ka bërë të ditur se ka furnizim të mjaftueshëm me grurë dhe se është kundër abuzimeve me çmime.
“Jemi kundër abuzimeve të çmimeve nga kushdo qoftë dhe ne përpunuesit të jemi më vigjilentë dhe të mos e shfrytëzojmë situatën aktuale që të ngrisim çmimet pa nevojë. Nuk kemi pasur nevojë dhe nuk ka nevojë për shqetësime, por as nuk kemi nevojë për ngritje të çmimeve”, pohoi Zejnullahu.
Në Kosovë ka filluar procesi i korrje-shirjes. Ministrja Hajdari konsideron se nga korrjet-shirjet e grurit Kosova do të sigurojë deri në 70 për qind të kërkesave të qytetarëve me këtë produkt. Por është demantuar nga Zejnullahu, i cili ka thënë se në disa rajone ka më pak rendimente sesa vitin e kaluar.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se inflacioni për muajin qershor ka arritur në vlerën 14.1 për qind, që është më i larti për një dekadë.