LAJMET E MBRËMJES

Pas dy tenderëve të dështuar, ZRRE-ja cakton KEK-un si furnizues të mundësisë së fundit

Mbledhja e ZRRE-së (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka caktuar KEK-un si furnizues të mundësisë së fundit pas dy tenderëve të dështuar ku nuk pati të interesuar. Në mbledhjen e së hënës, ZRRE-ja caktoi edhe tarifat për operatorin e nominuar të energjisë elektrike

Pas dështimit dy herë radhazi të tenderit për përzgjedhjen e furnizuesit të mundësisë së fundit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka caktuar KEK-un për ta kryer këtë shërbim në tre vjetët e ardhshëm.

Ushtruesi i detyrës së Departamentit ligjor pranë ZRRE-së, Ymeridin Misini, në mbledhjen e bordit të këtij institucioni të hënën ka thënë se KEK-u është propozuar për shkak të përvojës në ushtrimin e kësaj përgjegjësie.

“I propozojmë Bordit që të caktohet edhe më tej ndërmarrja KEK SH.A. si furnizues i mundësisë së fundit, pasi që e njëjta ka përvojë për të ushtruar këtë përgjegjësi, posedon softuerin e nevojshëm për ushtrimin e këtij funksioni, posedon burime njerëzore profesionale si dhe qëndrueshmëri financiare dhe do të jetë në gjendje të kryejë këtë funksion si FMF për periudhën nga 1 shkurt 2026 deri më 31 janar 2029. Pra, FMF-ja nuk është biznes afatgjatë, është një mekanizëm mbrojtës i kufizuar në kohë për të parandaluar që asnjë konsumator të mos mbetet pa furnizim”, ka sqaruar Misini. 

Tenderët dështuan në mungesë të interesimit nga kompanitë.

E rolin që i është besuar, KEK-u e ushtroi për disa muaj edhe gjatë vitit të shkuar, kur bizneset e mëdha kaluan në treg të hapur. 

Në mbledhje, Bordi ka shqyrtuar edhe kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave për Operatorin e Nominuar të Energjisë Elektrike (ALPEX) ku është vendosur që lista e tarifave për vitin 2026 të jetë e njëjtë me periudhën paraprake.

“Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake, dhe vazhdon me u apliku për tregun. Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit”, ka deklaruar Muharrem Gashi, udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE. 

Sipas udhëheqësit të Departamentit të Tarifave në ZRRE, Muharrem Gashi, tarifat e ALPEX-it nuk përfaqësojnë çmimin e energjisë elektrike në bursa. Ai ka sqaruar se këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë.