Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Partitë mësojnë numrat në fletëvotim, secila e prezanton si numër të fitores

shorti KQZ

Subjektet politike kanë tërhequr shortin për renditjen e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve të 7 qershorit. Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me numrin 116, të cilin e pati edhe në zgjedhjet paraprake, Partia Demokratike me numrin 125, Lidhja Demokratike me 113, e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 128. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ky institucion është angazhuar që zgjedhjet t’i organizojë në mënyrë profesionale, transparente dhe në përputhje me afatet ligjore

Të njëjtin numër si në zgjedhjet e kaluara do ta mbajë Lëvizja Vetëvendosje edhe në zgjedhjet e 7 qershorit.

Shorti që u tërhoq për renditjen e partive politike në fletëvotim, ra që Vetëvendosjes t’i takojë numri 116. Në këtë parti thanë se ky është numri i fitores.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nga vazoja e KQZ-së, përfaqësuesi i Partisë Demokratike tërhoqi numrin 125.

Kryetari i saj, Bedri Hamza, ka thënë se ky numër do të jetë për të gjithë ata që ende besojnë se Kosova bëhet me urtësi, me punë e dinjitet.

E, Lidhja Demokratike në këto zgjedhje do ta ketë numrin 113.

Kryetari Lumir Abdixhiku shkroi se ky do të jetë numër i bashkimit, ringritjes dhe i Republikës që beson sërish.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta mbajë numrin 128.

Kryetari i saj, Ramush Haradinaj, ka thënë se përmes këtij numri, më 7 qershor, qytetarët do ta kenë mundësinë të zgjedhin një ekip të dëshmuar njerëzish të cilëve do t’u prijë kandidati për kryeministër, Ardian Gjini.

E, Partia Socialdemokrate do të garojë me numrin 129. 

Nga partitë e komuniteteve, Lista Serbe ka numrin 119 në fletëvotim.

Fletëvotimi i 7 qershorit do t’i mbajë të listuara 21 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, tri koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se ky institucion është angazhuar që zgjedhjet t’i organizojë në mënyrë profesionale, transparente dhe në përputhje me afatet ligjore.

Ai ka thënë se aktualisht KQZ është duke punuar edhe në aspektet teknike, si për votimin brenda ashtu edhe atë jashtë vendit.

“Gjatë javëve në vazhdim do të organizohen edhe aktivitet të tjera të parapara sipas planifikimeve të KQZ-së, përfshirë përgatitjen e materialeve zgjedhore, fletëvotimeve dhe çështje të tjera administrative e teknike. Po ashtu KZQ-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet dhe të gjitha palët e përfshira në proces zgjedhor në mënyrë që secila fazë e përgatitjes të realizohet sipas planifikimeve dhe afateve të përcaktuara”, ka thënë Radoniqi.

Ndonëse zgjedhjet janë për Kuvend, subjektet politike kanë nominuar edhe kandidatët për kryeministër. Vetëvendosja ka nominuar Albin Kurtin, PDK-ja Bedri Hamzën, LDK-ja Lumir Abdixhikun e AAK-ja Ardian Gjinin. LDK-ja ka nominuar edhe kandidaten për presidente, që është Vjosa Osmani.