Me qindra besimtarë myslimanë u mblodhën në Xhaminë “Sulltan Fatih”, në Prishtinë, për ta falur namazin e Kurban Bajramit, duke përçuar mesazhe për paqe, dashuri dhe bashkim. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, e theksoi rëndësinë e reflektimit mbi vlerat njerëzore dhe bëri thirrje për një strategji kombëtare për rritjen e natalitetit. E qytetarët shprehën shqetësime për gjendjen politike, tek kërkuan më shumë mirëkuptim në shoqëri. Kurban Bajramin, drejtuesve të BIK-ut dhe besimtarëve myslimanë, ua uruan liderët institucionalë dhe partiakë
Që në orët e para të mëngjesit, me qindra besimtarë myslimanë u mblodhën në Xhaminë “Sulltan Fatih”, në Prishtinë, për ta falur namazin e Kurban Bajramit.
Në atmosferën festive, ata, krahas lutjeve, përçuan edhe mesazhe të forta për paqe, dashuri dhe bashkim.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në ligjëratën e mbajtur para besimtarëve, e theksoi rëndësinë e sakrificës, të vlerave familjare dhe të unitetit mes njerëzve.
“Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe ditë reflektimi. Është ditë kur e rikujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë, që ai na e dhuron. Është ditë kur ne, si besimtarë dhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë drejt njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi. Kurban Bajrami është ditë e madhe sakrifice dhe solidariteti”, ka thënë Tërnava.
E, qytetarët thanë se pos obligimit për përkushtim fetar, festa e Bajramit është edhe mundësi për reflektim mbi situatën shoqërore e politike në vend. Ata shprehën rëndësinë e ndihmës për më të varfrit dhe përkushtimin për familje.
“Për Kosovën do të doja të afrohet ky popull në mes vete, kurrë ky popull nuk ka qenë më i hasmuar në mes vete se sot, për shkak të këtyre partive. Në vend se ta afrojnë popullin dhe ta bashkojnë..., Zoti e bëftë hair”, ka deklaruar qytetari Riza Syla.
E, Adem Troshupa ka uruar që deputetët “të mbledhin mend”.
“Me marrë mëditjet e këtij populli shpresoj që, të paktën, barna për trupin e vet i shfrytëzojnë, se po qesh Evropa dhe bota me ne”, ka thënë ai.
Mesazh për reflektim u adresoi institucioneve edhe myftiu Tërnava, tek bëri thirrje që përfaqësues shtetërorë të dalin me një strategji kombëtare për natalitetin.
“Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë. Dhe, çdo çift që ka katër e më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që t’ua dhurojë të gjithëve nga një banesë – gratis”, është shprehur Tërnava.
Ngjashëm me besimtarët, mesazhe për unitet e solidaritet kanë drejtuar liderët e institucioneve e të partive politike. Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se Festa e Kuban Bajramit është thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore.
“Kjo festë shpërfaq shpirtin e solidaritetit, na e kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh”, ka theksuar Osmani në urimin e saj.
Thirrje të ngjashme u përcollën nga liderët shtetërorë e politikë edhe gjatë pritjes tradicionale, që e organizon Bashkësia Islame e Kosovë. Nga aty u theksua rëndësia për forcimin e institucioneve, për solidaritet dhe për ndihmë ndaj të varfërve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, teksa ka uruar besimtarët myslimanë, ka vënë në pah domethënien e kësaj feste që ka për shoqërinë.
“Sot, dhe jo vetëm sot, le t’i ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë dhe le t’ia përkujtojmë vetvetes e njëri-tjetrit rëndësinë që ka sakrifica dhe solidariteti për një shoqëri të mirë, të mbarë dhe të drejtë. Gëzuar dhe me fat Kurban Bajrami dhe i paçi zemrat përplot me besim dhe gëzim, kurse tryezat përplot me miq”, është shprehur Kurti.
Mesazhe solidariteti për këtë festë dhanë edhe liderët e partive, deri tani në opozitë.
“Kjo ditë dhe kjo festë e sakrificës të na shërbejë si mësim për devotshmërinë ndaj Krijuesit, si mësim për solidaritet ndaj njëri-tjetrit, si mësim për dashurinë ndaj vendit edhe Republikës së Kosovës”, ka thënë në urimin e tij Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
Për takimin me myftiun Tërnava dhe urimin drejtuar atij dhe besimtarëve myslimanë, ka folur Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
“Me rastin e festës, siç tregoi edhe myftiu, është dëshmuar një solidaritet i madh i ndërsjellë dhe janë gëzuar shumë familje. Ne kemi plot sfida në vend, uroj që të na i hapë Zoti rrugët si popull, sepse vërtet e meritojmë zhvillimin.”
E përmes një postimi në “Facebook”, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo ditë rikujton që përballë çdo sfide, padrejtësie apo dhembjeje, duhet të qëndrojnë më lart mëshira, afërsia, mirëkuptimi dhe falja.
“Sakrifica personale, në emër të një të mire më të madhe. Uroj që këto vlera të na udhëheqin në familje, në shoqëri, në vendimmarrje dhe në jetën tonë të përditshme”, ka shkruar ai.
Ndërsa, bashkëpartiaku i tij, deputeti Abelard Tahiri, pas takimit me myftiun Tërnava, ka kërkuar që kjo ditë të jetë thirrje për t’u qëndruar afër atyre që kanë nevojë.
“E falënderova dhe e përgëzova myftiun Tërnava për krejt angazhimin e tyre, dhe Bashkësisë Islame për familjet në nevojë në vendin tonë. Po ashtu, angazhimin tonë të përbashkët në këto ditë duhet ta kemi për shtetin e Kosovës, për ndërtimin e institucioneve të fuqishme, si një shtet në ndërtim e sipër”, ka thënë Tahiri.
Gjatë ditës së premte, Myftiu Tërnava ka pritur udhëheqës të shumtë të institucioneve, të cilët e uruan atë dhe besimtarët myslimanë, me rastin e festës së Kurban Bajramit.