Në secilën prej varëseve e broshëve të punuara me dorë është e gravuar historia e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Punimet e tilla bartin djersën e mundin e grave që me gjithë dhimbjen nëpër të cilën kanë kaluar, kanë gjetur forcën që të ngrihen e t’u dalin në ndihmë familjeve të tyre.
Aksesorë të tillë e produkte të tjera artizanale e agrikulturore janë ekspozuar të hënën në “Panairin e fuqizimit – Produkte me histori jete dhe qëndrese”, në Prishtinë.
Laura Qarkaxhija-Tefiku, përfaqësuese e organizatës “Medica Gjakova”, që ka organizuar këtë panair, ka thënë se përveç vetëdijesimit synohet edhe fuqizimi ekonomik i të mbijetuarve.
“Qëllimi kryesor është promovimi i produkteve të tyre që tregon forcën dhe qëndresën e tyre gjatë gjithë kohës që e kanë këto gra dhe sfidat që këto gra mundohen me i tejkalu duke punuar produkte punëdore apo agrikulturore. Përveç promovimit të këtyre produkteve fitimi nga këto panaire shkon direkt te gratë, është edhe fuqizimi ekonomik direkt te këto gra dhe familjet e tyre”, ka thënë Qarkaxhija-Tefiku.
Ajo është shprehur e lumtur me interesimin e qytetarëve për të blerë produktet e ekspozuara, derisa ka bërë thirrje për mbështetje të mëtutjeshme.
Shitja e produkteve të të mbijetuarave të dhunës seksuale e ndarja e historive të tyre me qytetarët e interesuar është bërë në mënyrë vullnetare nga të rinjtë.
Njëri prej tyre ishte edhe Etnik Dula, që në panair kujdeset për produktet agrikulturore.
“Kisha pas qejf që këto sa ma shumë me u shitë dhe gratë në të ardhmen me pasë mundësinë me u ngrit në bizneset e tyre në kapacitete e tyre dhe me qenë sa më kreative, më produktive”, ka thënë Dula.
Panairi në Prishtinë do të mbyllet më 21 maj, derisa i njëjti do të hapet gjatë javëve në vijim edhe në Gjakovë, Prizren, Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.
Historia e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është po aq e panjohur sa edhe numri i saktë i këtyre rasteve. Traumat e tyre të patrajtuara i kanë vuajtur në disa raste edhe fëmijët e tyre.
Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shifra e viktimave të përdhunimeve arrin deri në 20 mijë.
Në Kosovë, më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për "ta njohur dhimbjen" e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t'i kontribuar kujtesës kolektive.