Në komunën e vetme me shumicë serbe që shkoi në balotazh, fituesi është ditur para se të nisë votimi. Procesi zgjedhor për kryetar të Kllokotit është zhvilluar formalisht, meqë kundërkandidati i atij të Listës Serbe, ka hequr dorë nga gara dhe i është bashkuar kësaj partie
Komuna e Kllokotit e ka zhvilluar formalisht procesin zgjedhor për kryetarin e Komunës ani se nuk pati garë mes dy kandidatëve.
Sreqko Spasiq i Iniciativës Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, më 3 nëntor është tërhequr nga gara dhe ka kërkuar nga mbështetësit që votën t’ia japin kundërshtarit të tij Bozhidar Dejanoviq, që është kandidat i Listës Serbe.
E Dejanoviqi e ka udhëhequr votimin grupor të rreth 20 personave, të dielën, në rundin e dytë.
Për shkak të garës me një kandidat, interesimi për votim, ishte i vogël.
Herë brenda e herë jashtë, komisionerë e vëzhgues prisnin për votues në një qendër votimi në Kllokot. Fiks deri në orën 13:00 të së dielës, asnjë qytetar nuk është paraqitur për votim.
Ekipet mobile të KQZ-së deri rreth orës 14:00 kanë marrë votat e vetëm 17 votuesve, të gjithë serbë.
“Tani kemi gjithsej 17 vende ose shtëpi, ata persona janë me aftësi të kufizuara apo të shtyrë në moshë që nuk kanë pasur mundësi të dalin të votojnë. Procedura ka shkuar në rregull. Të gjithë votuesit normalisht kanë qenë të komunitetit serb, pasi që edhe kandidatët të cilët janë në garë për komunën e Kllokotit janë aktualisht serbë”, ka thënë Sahit Hetemi, zyrtar në ekipin mobil.
Në garën ku fituesi dihet, interesimi i shqiptarëve për të votuar ishte i zbehtë, ndonëse jo i munguar.
Në një qendër votimi në Mogillë të Kllokotit deri në mesditë votuan 6 persona. Të drejtë vote aty patën vetëm 3 serbë.
Në fakt, në Mogillë të Kllokotit të drejtë vote kanë 296 persona, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sjellë vetëm 200 fletëvotime.
Fluks më të madh ka pasur në qendrat e votimit ku numri i votuesve të komunitetit serb është më i lartë.
Në këtë komunë, në rundin e parë i treti doli kandidati i pavarur, Arbër Emini. Ai madje deri në fund kërkoi përsëritjen e votimit në Kllokot, me pretendimin se pati “shkelje të shumta ligjore e procedurale” dhe “ndërhyrje të strukturave ilegale serbe në procesin zgjedhor në Kosovë”.
Ankesa e tij është refuzuar nga të gjitha instancat, përfshirë edhe nga Supremja.