LAJMET E MBRËMJES

Paga minimale i përplas në Kuvend pushtetin dhe opozitën

Shqyrtimi i ndryshimeve ligjore nëpërmjet të cilave shumica parlamentare synon t’i evitojë implikimet në buxhetin e shtetit pas rritjes së pagës minimale, që synohet të shkojë në 264 euro, nxiti protesta të veteranëve të UÇK-së jashtë ndërtesës së Kuvendit e në sallën plenare përplasi ligjvënësit e subjekteve në pushtet me ata të opozitës. Ndryshimet ligjore nuk kanë kaluar të hënën dhe janë shtyrë për në seancën tjetër, meqë në momentin e votimit ligjvënësit e partive në pushtet nuk ishin në numër, sa për ta bërë kuorumin

Nuk kanë kaluar të hënën në Kuvend ndryshimet ligjore, nëpërmjet të cilave shumica parlamentare synon t’i evitojë implikimet në buxhetin e shtetit pas rritjes së pagës minimale që synohet të shkojë nga 170 euro në 264 euro. Ndryshimet e propozuara heqin dispozitën, sipas së cilës veteranët e luftës dhe disa kategori sigurojnë të ardhura në lartësinë e pagës minimale.

Shqyrtimi i ndryshimeve ligjore nxiti protesta të veteranëve të UÇK-së jashtë ndërtesës së Kuvendit e në sallën plenare përplasi ligjvënësit e subjekteve në pushtet me ata të opozitës.

Fatmir Humolli ishte deputeti i vetëm i partisë kryesore që ka votuar pro mocionit për largimin nga rendi i ditës të Projektligjit që adreson pagën minimale. Por, vota e tij ishte e pamjaftueshme. Të pamjaftueshme ishin edhe votat e partisë së tij për ta miratuar këtë projektligj.

Vonesat e deputetëve minoritarë bënë që votimi të dështojë në mungesë të kuorumit.

Pensionet e veteranëve u bënë shkak që debati të përshkallëzojë edhe në ofendime.

“A është në rregull t’i ndani veteranët kur e rrisni pagën minimale a s’është? Është turp për ty Glauk Konjufca, djalë i Sherif Konjufcës dhe turp për Gani Krasniqin, Fatmir Humollin, Enver Dugollin e krejt këta të tjerët, duhet t’u vijë marre se çfarë janë duke bërë”, ka thënë deputeti Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë.

Ai ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që ta tërheqë këtë projektligj.

“Nuk do të mund ta kaloni këtë ligj se po doni të bëni lojë. Hajde deri ku po shkojmë? Le ta heqë Murati këtë ligj. Ai që e ka sjellë le ta tërheqë. Mos luani me këto gjëra. Duhet t’ ju vijë marre, pse e keni sjellë punën që të bëhet kjo bisedë”, ka theksuar Haradinaj.

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit ka paralajmëruar se situata do të përkeqësohet nëse nuk do të reflektojë Qeveria.

“Ndaluni sa nuk është bërë më keq, sa nuk keni shkuar më thellë. Më mirë është të ndaleni sot sesa nesër”, ka thënë Haradinaj.

Pas kësaj fjale kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga kreu i AAK-së që të përmbahet.

“Zotëri Haradinaj, ky është Kuvend dhe vetë ke qenë kryeministër”, ka thënë Konjufca.

Kjo fjalë është përcjellë me ofendime nga Haradinaj.

“Shko bre në hamom!”, është dëgjuar Haradinaj, tek i drejtohet me këtë shprehje.

Pas rritjes së tensioneve që kanë ndodhur pas këtij komunikimi, seanca ka vazhduar me procedurën e vendimmarrjes.

Fillimisht është hedhur në votim mocioni i propozuar nga PDK-ja për heqjen e Projektligjit nga rendi i ditës. Në votimin e parë mocioni ka dështuar pasi nuk ka pasur kuorum. Për kanë votuar vetëm deputetët e opozitës. Mocioni është hedhur sërish në votim, pasi është konstatuar se duhet edhe një herë të votohet, meqë nuk kanë marrë pjesë në votim 61 deputetë. Në herën e dytë opozita është mbivotuar nga abstenimet e pushtetit. Për mocionin ishin 32 vota, ndërsa ishin 51 abstenime.

Deputetët e PDK-së dhe AAK-së pasi nuk kanë arritur që ta kalojnë mocionin, në shenjë kundërshtimi kanë lëshuar sallën.

“Ne nuk jemi për të tensionuar situatën, por për të zgjidhur probleme. Kërkojmë që të shtyhet, të mos votohet fare në këtë pikë”, ka thënë Abelard Tahiri, kryetar i Grupit parlamentar të PDK-së.

Por shtyrjen përpara të këtij projektligji e ka arsyetuar deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.

“Paga minimale është instrument i tregut të punës. Ky prioritet u dedikohet vajzave dhe djemve që punojnë dhe e kanë pagën mes 130 deri 170 euro. Ne po themi fillimisht na lejoni që të adresohen kushtet e jetesës të kësaj shtrese shoqërore që paguhen shumë më pak sesa veteranët”, ka thënë Muja.

Pas kësaj, kryeparlamentari Konjufca e ka hedhur në votim projektligjin, por në votim kanë marrë pjesë vetëm 51 deputetë, dhjetë më pak sesa numri minimal i ligjvënësve që e përbëjnë kuorumin.

Pas seancës kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar përpjekjen e pushtetit për ta çuar përpara nismën.

“Pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga ‘veterani’ i rrejshëm Albin Kurti sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë”, ka thënë Krasniqi. “Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i padinjiteshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t'i përjetonte”.

Por, sipas Agron Demit nga Instituti GAP, protesta e veteranëve kundër projektligjit për pagën minimale është një orkestrim kundër institucioneve dhe politikave.

“Ky nuk është opozitarizëm, është sulm i orkestruar kundër institucioneve dhe politikave. Me këso veprimesh, duke promovuar shkatërrimin e sistemit pensional, duke rrezikuar qëndrueshmërinë buxhetore, duke rrënuar rregullat fiskale, nuk i bëhet opozitarizëm pushtetit, por është formulë për të dështuar shtetin”, ka shkruar ekonomisti Demi në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, skenat e javëve të fundit, ku deputetë të opozitës u prijnë protestave për trust, protestave të veteranëve, protestave të sindikatave, nuk janë asgjë tjetër veçse thirrje për kaos.

“Këto skena po m’i kujtojnë zhvillimet e para vitit 2008, kur pushteti çdo ditë menaxhonte kriza artificiale të orkestruara nga grupe jashtinstitucionale. Qëllojani kush ka qenë edhe atëherë në opozitë”, ka shkruar Demi.

Me këtë projektligj Qeveria synon ndryshimin e një numri dispozitash në katër ligje e që i hapin rrugë ngritjes së pagës minimale. Aty parashihet të ndryshohet ligji për veteranët e luftës së UÇK-së, për personat e verbër, për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe ai për tatimin në të ardhura personale.

Me legjislacionin në fuqi, rritja e pagës minimale rrit automatikisht edhe pensionet e veteranëve.