Gjyqtari serb Radomir Llaban, për të cilin institucionet e sigurisë kanë konsideruar se përbën rrezik për rendin kushtetues, është bërë shkak që presidentja Vjosa Osmani ta tërhiq kërkesa e deponuar në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me konstituimin e Kuvendit. Sipas Osmanit, informacionet për Labanin janë shqetësuese dhe pavarësisht kësaj, ai është caktuar gjyqtar raportues për këtë lëndë
Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr të martën kërkesën e adresuar dy javë më parë në Gjykatën Kushtetuese për t’i definuar pasojat juridike që prodhohen pas dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh.
Në një konferencë shtypi, ajo njoftoi se veprimin e ka ndërmarrë meqë gjykata e ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin.
Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.
“Konsideroj se caktimi i z. Laban si gjyqtar raportues në këtë proces është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm. Kjo meqë mund të merren vendime që mund të krijojnë pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme jo vetëm për institucionet aktuale por edhe ato në të ardhmen”, ka deklaruar presidentja Osmani. “Tërheqja e kërkesës është veprim i domosdoshëm në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues”.
“Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet pikërisht nga persona të cilët sipas institucioneve tona të sigurisë e rrezikojnë rendin kushtetues të vendit tonë”, ka insistuar ajo.
Osmani ka deklaruar se informacionet në lidhje me gjyqtarin Laban janë shqetësuese dhe se si të tilla ka kohë që i janë përcjellë edhe vetë Kushtetueses.
“Sipas këtyre informatave, të cilat në vitin 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidentja.
Tek ka arsyetuar tërheqjen e kërkesës nga Kushtetuesja, Osmani ka thënë se po të lihej lënda, Laban do të kishte rol kyç “në vlerësimin e pranueshmërisë, meritave të kërkesës dhe kërkesës për masë të përkohshme”.
“Me fjalë të tjera, gjyqtari raportues e trason rrugën e një rasti, rrugë kjo që ndiqet pastaj nga gjykata në thuajse të gjitha rastet. Në bazë të rregullores, përkundër praktikës për ndarje të balancuar të rasteve të gjyqtarëve, kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka diskrecion të plotë të vendosë se cili rast i caktohet cilit gjyqtar. Kërkesa jonë ka të bëjë me çështje thelbësore për rendin kushtetues, prandaj është thellësisht shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet tona të sigurisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se rrezikon shtetin tonë, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues”, ka thënë ajo.
Osmani ka sqaruar se nuk ka kompetencë të ndërmarrë veprime në drejtim të shkarkimit të këtij gjyqtari.
“Ky gjyqtar nuk është emëruar nga ana ime por është emëruar në vitin 2018. Po ashtu, sipas Kushtetutës së Republikës shkarkimi i një gjyqtari të Gjykatë Kushtetuese bëhet vetëm pasi të votohet një gjë e tillë nga 2/3 e gjyqtarëve dhe shkarkimi i propozohet presidentes nga vet gjykata. Pa një propozim të tillë nga Gjykata, sipas kushtetutës, nuk mund të ndërmerret asnjë hap nga ana e presidentes”, ka thënë ajo.
Por, vendimi i Osmanit është kritikuar nga akterë politikë e përfaqësues të shoqërisë civile.
Deputeti i Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, e ka quajtur veprimin “show i fundit para vendimit të madh”.
“Brenda këtyre tri ditëve do të kuptohet se kah do të ecë Kosova: drejt stabilitetit institucional, apo drejt zgjedhjeve të reja. Unë mbetem i bindur se Gjykata Kushtetuese duhet të riafirmojë parimin demokratik të vendimmarrjes nga shumica. Ajo duhet të rikthejë normalitetin institucional duke: I dhënë kohë të arsyeshme (30 ditë) partisë apo koalicionit të parë të përpiqet të zgjedhë kryetarin/e Kuvendit; Nëse nuk ka sukses, atëherë mundësia t’u kalojë deputetëve të Kuvendit që të zgjedhin një kandidaturë tjetër; Nëse dështon edhe kjo fazë, atëherë Presidenti/ja, në përputhje me nenin 84.2 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh”, ka shkruar ai.
E Eugen Cakolli, i cili është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës ka thënë se gjyqtari raportuyes nuk vendos për fatin e kërkesës e as përmbajtjen e vendimit.
“Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, atëherë rasti mbyllet. Por mjafton që një gjyqtar tjetër të mos pajtohet, dhe rasti kalon për shqyrtim në përbërje të plotë të Gjykatës. Aty vendoset me shumicë votash për secilën pikë – si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë. Edhe nëse gjyqtari raportues nuk është në atë shumicë, me vendim të Kryetarit, tekstin final e harton një gjyqtar tjetër”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Sipas tij, nëse për gjyqtarin Laban nuk është iniciuar ndonjë hetim apo kallëzim penal “është vështirë të arsyetohet se si një element procedural si caktimi i gjyqtarit raportues, mund të shërbejë si arsye për tërheqjen nga një rast me rëndësi thelbësore kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese në fund të muajit qershor u dha kohë një muaj deputetëve që të konstituojnë legjislaturën e nëntë. Por, në aktgjykimin e saj pas trajtimit të kërkesës së dërguar nga AAK-ja e të mbështetur nga deputetë të tjerë, nuk pati sqaruar se çfarë ndodhë nëse nuk respektohet ky afat.
Saktësime nga Kushtetuesja të pasojave, e kërkoi presidentja Osmani, ndërkaq lëndën e tërhoqi të martën.