Presidentja Vjosa Osmani ka bërë bashkë liderët e partive parlamentare, në përpjekjen e dytë dhe të fundit për ta formuar Qeverinë. Por, asnjëri nga ta nuk ka propozuar mandatar për kryeministër, përpos kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që ka kërkuar kohë përpara se të japë përgjigjen finale. Presidentja tha se do ta presë këtë përgjigje, përpara se të vendosë për zgjedhje të parakohshme.
Edhe disa ditë kohë ka kërkuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të vendosë nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t’u bashkëngjitet partive të tjera politike, që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Qëndrimin e ka shprehur në takimin që presidentja Vjosa Osmani e ka zhvilluar me liderët e partive politike, në kuadër të konsultave për mandatarin e dytë për formimin e Qeverisë.
Kurti nuk foli pas takimit, por qëndrimin e tij e ka bërë të ditur presidentja.
“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të skadojë afati 10 ditor për caktim të mandatarit të dytë dhe pas konsultimeve që i ka brenda partisë politike që e përfaqëson do të vijë me propozim apo jo është çështje e tyre, mirëpo ne e kemi për obligim kushtetues që t’i respektojmë ato afate”, ka thënë Osmani.
Në rast të synimit që të sigurojë shumicën e nevojshme, Kurti duhet të gjejë një kandidat tjetër, ngase presidentja Osmani bëri të ditur se nuk mund ta mandatojë atë për kryeministër, shkaku që herën e parë ka dështuar të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend, për ta formuar qeverinë.
Këtë qëndrim, ajo tha se e mbështet te konstatimet e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, ndonëse i vlerëson si jo të jologjikshme.
“Ato aktgjykime me vetë faktin që e përmendin mandatar tjetër, interpretimi ynë është që nënkupton mandatar tjetër. A më duket e logjikshme një gjë e tillë? Nuk më duket aspak e logjikshme, për një arsye shumë të thjeshtë: një mandatar ndoshta sot nuk i ka votat, por mund t`i krijoj pas 2 muajsh, pas dy javësh”, ka thënë Osmani.
Për dallim nga Kurti, liderët e tri partive deri tash në opozitë, janë të vendosur që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, në takim është bërë e qartë se askush prej partive politike nuk mund ta krijojë shumicën parlamentare.
Krasniqi kritikoi Kurtin, pasi theksoi se ai po zvarrit shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nëpërmjet qëndrimit se i duhet kohë për të theksuar nëse Vetëvendosja do ta propozojë mandatarin e ri.
“Ai në mënyrë të kundërligjshme sipas Gjykatës Supreme është duke vazhduar të jetë në zyrën e kryeministrit dhe është duke marrë vendime të cilat nuk janë në pajtim me ligjin dhe konsideroj se vetëm zgjatja e kësaj situate është arsyeja themelore sepse është e qartë se as në ëndrrat e tij më të mira ai nuk mundet me bo shumicën”, tha Krasniqi.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se mbajtja e zgjedhjeve sa më parë shmang krizat eventuale me të cilat potencialisht mund të përballet Kosova.
“Tani i takon presidentes deri më datë 5 të përcaktojë se a ka shumicë a nuk ka shumicë. Patë edhe pretendime nga kryetari i LVV-së që ndoshta duhet provu edhe njëherë por shumica e partive politike që e përbëjnë shumicën shqiptare 52 deputetë ishin të qartë duke deklaruar se nuk ka shumicë”, deklaroi ai.
E sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, qëndrimi që Kurti shprehu në takim, bën që presidentja të mos mund ta caktojë datën sa më të afërt për zgjedhje.
“Nëse z. Kurti nuk do të kërkonte disa ditë deri më 5, presidentja ka mujt sot me marrë vendim, do të ishte e mundshme 1 dhjetorit, meqë po vonohet deri më 5 atëherë data e parë e mundshme është 7 dhjetor. Data e dytë do të jetë 14, por prapëseprapë presidentja duhet me i respektu afatet kushtetuese”, tha Haradinaj.
Pas takimit me liderët e partive politike, presidentja Osmani ka konstatuar se nuk ka unanimitet për çështjen e mandatarin, por është zotuar të bëjë çmos që t’i evitojë zgjedhjet e parakohshme.
E në takim ajo propozuar që të jetë iniciuese e nismave ligjore të cilat do të mundësonin shfrytëzimin e buxhetit të këtij viti deri në mars, dhe do të mund të miratohej Plani i Rritjes.
Dakordim në këtë takim nuk është arritur, por presidentja tha se diskutimet me përfaqësuesit e partive politike për këto çështje do të vazhdojnë.