LAJMET E MBRËMJES

Osmani s’e dekreton Isufajn për kryeprokuror, thotë se u kërcënua për të marrë vendim

Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër. Osmani ka thënë se ka pasur me dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes. Presidentja ka theksuar se gjatë kohës së shqyrtimit të ankesave në gjykata, ka marrë mesazhe dhe është kërcënuar nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë. KPK-ja e quan deklaratën e presidentes tendencioze e ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial.

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit.

Asaj iu desh të priste një vit e gjysmë për ta marrë këtë vendim. Ka thënë se janë evidentuar dhjetë shkelje në procedurën e përzgjedhjes dhe se asnjëra gjykatë s’i ka trajtuar ankesat në aspektin përmbajtjesor.

“Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, e dyta, mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda PKP për kandidatët e pakënaqur përmes refuzimit arbitrar për raportet e komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve, e treta, shkelja në procedura të vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve, e katërta, shkelja në procedura të vlerësimit të integritetit të kandidatëve”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se gjatë kohës së shqyrtimit të ankesave në gjykata, ka marrë mesazhe dhe është kërcënuar nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

Ka thënë se nuk mund t’i deponojë kërcënimet te personat që e kanë kërcënuar.

“Çdo letër tjetër që KPK i dërgonte, përkundër faktit që i dinte të gjitha arsyet pse nuk po merret vendimi, ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues dhe në kundërshtim me çdo praktikë të komunikimit ndërinstitucional. Në anën tjetër unë mund t’ju them që ka pasur edhe presione të tjera të paligjshme, ta zëmë njerëz që dërgonin mesazhe se në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngremë aktakuza, do t’i lidhim duart, etj., etj., por ata duhet ta dinë se më shumë se dy dekada që jam në politikë, presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë, e nuk do të bëjnë as tash”, tha Osmani.

Osmani theksoi se ka ftuar KPK-në që të ndjekë procedurë ligjore dhe kushtetuese në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.

Vendimin dhe deklaratat e presidentes për mos dekretim të Isufajt, Këshilli Prokurorial përmes një komunikate i ka quajtur tendencioze dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial.

“KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, thuhet nga KPK-ja.

Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit pati nxitur reagime të shumta dhe disa organizatat joqeveritare kanë kërkuar përsëritjen e konkursit.

Shkarko dokumentin