Kritike ndaj Bashkimit Evropian u tregua presidentja Vjosa Osmani, sipas së cilës kanë pushuar arsyet mbi të cilat Kosovës i janë vënë masat. Pas takimit me presidentin bullgar, Rumen Radev, ajo tha se kushtëzimi i heqjes së tyre me zbatim të marrëveshjes së Brukselit, do të ketë efekt negativ. E, Radev theksoi se Brukseli duhet të ketë rol të balancuar ndaj të dyja palëve.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur shqetësimin për tendenca brenda Bashkimit Evropian që masat e vendosura ndaj Kosovës të keqpërdoren, duke kushtëzuar heqjen e tyre me zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Në një konferencë për media, pas pritjes shtetërore që ia bëri homologut të saj bullgar, Rumen Radev, presidentja Osmani ka thënë se masat janë vendosur me qëllim të deeskalimit të situatës në veri, dhe ka shtuar se deeskalimi ka ndodhur.
“Nëse dikush mendon të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes, vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat duhet të hiqen se Kosova i ka plotësuar kërkesat sa i përket deeskalimit, kurse konstruktivitetin e saj për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit, Kosova e ka dëshmuar me qindra herë. Ndërkaq, Serbia po bën të kundërtën, jo vetëm me retorikë, por edhe me shkrim ku i ka informuar shtetet e BE-së se nuk do të zbatojë marrëveshjen për normalizim”, ka thënë Osmani.
E presidenti bullgar u shpreh se masat duhet të përdoren kur palët nuk i përmbushin obligimet e marra. Por, ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të ketë rol të balancuar ndaj të dyja palëve.
“Ne ngulim këmbë që BE-ja të ketë një rol aktiv për dialogun intensiv dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjithë që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin. Politika e BE-së duhet të jetë transparente dhe objektive sa i përket çdo pale të përfshirë, dhe të përfshijë si nxitjet pozitive, ashtu edhe masat restriktive ose ndëshkuese në rast se nuk zbatohen angazhimin”, ka deklaruar Radev.
Radev, i cili gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, ka theksuar se shteti që përfaqëson do të angazhohet në Bruksel që Kosova të mos lihet anash në procesin e integrimit.
“Në këtë kontekst të ndërlikuar gjeopolitik kur flasim për integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit, nuk mund t’i lejojmë vetes ta lëmë Kosovën në plan të dytë, aq më tepër në fushën e sigurisë”, ka thënë ai.
E presidentja Osmani ka folur për rëndësinë e integrimit të shtetit në BE e NATO.
“Udhëheqja e guximshme dhe vendimet vendimtare të aleatëve tanë janë të nevojshme për të përshpejtuar pranimin bazuar në merita të vendeve të rajonit në BE dhe NATO. Çdo hezitim do të krijonte boshllëk duke u dhënë mundësi akterëve keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por rajonin”, ka thënë Osmani.
Vlerësohet se veriu i Kosovës është ndër vatrat më të ekspozuara për konflikte, ndërkaq shteti është i fundit nga vendet e rajonit, në rrugën e integrimit në BE.