Krahas Bashkimit Evropian një ditë më parë, kundër kritikave të adresuara ndaj Gjykatës Kushtetuese, të martën reagim ka pasur edhe nga Ambasada gjermane në Kosovë. Në këtë ambasadë u kanë bërë thirrje akterëve politikë e atyre institucionalë që të përmbahen nga ndërhyrja në pavarësinë e gjyqësorit. E presidentja Vjosa Osmani i ka kualifikuar kritikat pjesë të debatit demokratik teksa ka vlerësuar se gjykatat e gjyqtarët nuk janë të shenjtë
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë u ka bërë thirrje akterëve politikë e atyre institucionalë të përmbahen nga çfarëdo ndërhyrjeje në pavarësinë e gjyqësorit, duke reaguar ndaj gjuhës së përdorur të dielën nga udhëheqës të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Gjykatës Kushtetuese.
Në reagimin e publikuar të martën, në këtë ambasadë e kanë kualifikuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë gur themel të sundimit të ligjit.
“Ambasada gjermane në Prishtinë e thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themel i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që t’i respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane në Kosovë.
Reagimi është bërë dy ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur Gjykatën Kushtetuese “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.
Lidhur me këto kritika ndaj vendimeve të Kushtetueses ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani. Në një konferencë shtypi të martën ajo ka thënë se diskutimet mbi vendimet e Gjykatës janë përbrenda normave të debatit demokratik, që zhvillohet në çdo vend të botës.
“Tash mos të pretendojmë se Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e tjerë janë ndonjë shenjtëri. Jo, janë institucion publik dhe mund të flasim edhe për punën e tyre, siç flisni ju çdo ditë edhe për punën time, edhe për punën e të tjerëve, institucionet publike, pra, që të gjithë, edhe Gjykata Kushtetuese nuk janë mbi Kushtetutën. Nuk janë mbi Kushtetutën! Pra, s’po flasim për shenjtëri”, ka thënë Osmani.
Të hënën ndaj kritikave për Kushtetuesen kanë reaguar edhe në Bashkimin Evropian e në misionin e BE-së për sundim të ligjit, EULEX, duke i quajtur ato të papranueshme dhe duke kërkuar që politikanët të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor.
Shqetësim për këtë kanë shprehur edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se asnjë institucion apo parti nuk mund të ndërhyjë në punën e saj.
Kritikat për Kushtetuesen janë shprehur pasi të premten kjo gjykatë ka vendosur masë të përkohshme për Kuvendin, me të cilën ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime në funksion të formimit të Qeverisë deri më 30 shtator.
Masa është vendosur pas ankesës së Listës Serbe.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.