Në hapje të kësaj ngjarjeje, të martën, përfaqësuesit shtetërorë nuk dhanë vlerësim të njëjtë për pozitën e gruas. Presidentja Osmani tha se Kosova mbetet vend lider për barazi gjinore, por kryeministri Kurti theksoi se shteti synon që këtë status ta marrë brenda një dekade
Në edicionin e dhjetë të “Javës së gruas”, organizuar të martën në Prishtinë, nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), përfaqësues të lartë shtetërorë nuk shprehën vlerësim të njëjtë për shkallën e të drejtave të grave në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani tha se që nga shpallja e Pavarësisë Kosova mbetet vend lider për barazi gjinore.
“Në 15 vjet rrugëtim Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore, me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuara dhe kanë zë më të fuqishëm se kurrë më parë”, ka thënë Osmani.
Por kryeministri Albin Kurti dha një vlerësim tjetër. Ai tha se gjendja e barazisë gjinore nuk është e kënaqshme, por që, sipas tij, gjatë kësaj dekade Kosova synon t’i tejkalojë vendet e rajonit sa i përket luftimit të pabarazisë gjinore.
“A kemi shumë punë për të bërë me siguri se po dhe unë besoj që pjesa kryesore ku duhet të përqendrohemi për barazinë gjinore është në zona të cilat nuk janë urbane dhe sidomos në përgjithësi jashtë Prishtinës”, deklaroi Kurti.
Drejtoresha e NDI-së në Kosovë, Nancy Soderberg, tha se qëllimi i “Javës” është që burrat dhe gratë e të gjitha shtresave të bashkohen për të diskutuar dhe për të gjetur mënyra për barazi gjinore.
“Ajo që është me rëndësi, është se burrat po bëhen pjesëmarrës të rregullt në ‘Javën e gruas’, pasi që vetëm gratë nuk mund t’i bëjnë ndryshimet e as burrat të vetëm nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Soderberg.
“Java e Gruas” është një ngjarje vjetore që mbledh më shumë se 120 gra dhe burra me qëllim të zgjerimit dhe forcimit të kapaciteteve të grave për marrjen e pozitave të larta drejtuese.