Presidentja Vjosa Osmani pret angazhim të plotë nga i mandatuari për formimin e qeverisë së re. Osmani ka thënë se qytetarët kanë votuar për të pasur institucione e jo për të shkuar në zgjedhje të reja. Por i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, të hënën ka udhëtuar për në Londër, ku në mesjavë do të mbahet takimi i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit
Gjashtë ditë i kanë mbetur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të sigurojë votat e nevojshme për t`u bërë sërish kryeministër. E derisa të dielën përfundon afati prej 15 ditësh, që nisi të rrjedhë pas mandatimit nga presidentja Vjosa Osmani, Kurti të hënën ka udhëtuar për në Londër.
Në mbrëmje, sipas Ambasadës së Kosovës, ai do të marrë pjesë në një bashkëbisedim me bashkatdhetarët në Angli, e të mërkurën më 22 tetor do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
E pikërisht për procesin e formimit të Qeverisë së re ka folur presidentja Osmani. Ajo ka thënë se e dobishme do të ishte që të shmangen zgjedhjet e reja parlamentare.
“Nuk do të ngutesha që të jap supozime që do të dështohet në krijimin e qeverisë, ka ende pak kohë, ta shohim. Shpresoj që të ketë angazhim maksimal për krijimin e qeverisë, sepse qytetarët kanë votuar me datën 9 shkurt të këtij viti që të kenë institucione, jo që të rikthehen në zgjedhje”, ka thënë Osmani, në një deklaratë për media, pasi mori pjesë në një ngjarje të organizuar nën patronazhin e saj, në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit.
Afati i mbetur mund të ndalojë së rrjedhuri nëse Gjykata Kushtetuese aprovon kërkesën e Listës Serbe dhe vendos masë të përkohshme. Nga kjo gjykatë, ditë më parë kanë thënë se janë duke shqyrtuar kërkesën e Listës Serbe, e cila është ankuar pas konstituimit të legjislaturës së nëntë e dështimit për të zgjedhur nënkryetar të Kuvendit deputetë nga radhët e saj.
Por sipas presidentes Osmani, ankesa e Listës Serbe është e panevojshme.
“Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të serbëve që jetojnë në Kosovë, sepse kur nuk ka Qeveri, kur nuk ka institucione stabile, edhe vendimet të cilat janë në interes të qytetarëve nuk mund të merren”, ka thënë ajo.
Në pritje të votimit të Qeverisë është edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. “Kuvendi është konstituuar, kjo është e rëndësishme. Presim votimin e qeverisë”, ka thënë ajo, në një deklarim të shkurtër për media, pas pjesëmarrjes në ngjarjen e organizuar nga Presidentja Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar javën e shkuar, se janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhje nëse nuk formohet qeveria e re.
“Nëse nuk ka Qeveri të re Kurti 3, pa asnjë dyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”, ka deklaruar ai. Në Vetëvendosje derën e bashkëpunimit e kanë mbyllur për PDK-në e Listën Serbe. Por, në lidhje me bashkëpunimin eventual me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë, përgjigje nuk kanë dhënë nga Lidhja Demokratike e Kosovës e as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Për ta formuar Qeverinë, Kurtit i duhen së paku 61 vota në Kuvend. Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve që i përkasin komuniteteve joserbe, si dhe të deputetit serb, Nenad Rashiqit. Kurti e Vetëvendosja, të sigurt nuk e kanë mbështetjen e tre deputetëve nga radhët e komuniteteve joserbe, Duda Baljes, Veton Berishës e të Adem Hoxhës.
Në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë, Vetëvendosje pati zhvilluar negociata me Nismën Socialdemokrate që ka tri ulëse ne Kuvend, por që nuk patën prodhuar marrëveshje. Kjo parti ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që për kryetar të Kuvendit të propozojnë kryetarin e saj, Fatmir Limaj.