LAJMET E MBRËMJES

Organizata e Veteranëve të Luftës mohon pretendimet e Serbisë se Halili ishte luftëtar i UÇK-së

Një ditë pasi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje që të shmanget kalimi nëpër Serbi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar Lulëzim Halilin nga Peja, me pretendimet se ka qenë luftëtar i UÇK-së dhe se ka kryer krime lufte. Por udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës kanë thënë se emri i kosovarit të arrestuar në Serbi nuk ka të bëjë asgjë me luftën dhe as me UÇK-në

Pretendimet e Serbisë se Lulëzim Halili ka qenë luftëtar janë hedhur poshtë të mërkurën nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas mediave në Serbi, 59-vjeçari nga Peja është arrestuar të martën në Svillajnac të Serbisë, me pretendimin se ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e Kosovës.

Gazmend Syla, nënkryetar i OVL të UÇK-së, njëherësh kryetar i degës së kësaj organizate në Pejë, ka mohuar se Halili ka qenë pjesë e ndonjë organizimi gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Sot gjatë gjithë ditës kemi kontaktuar plot bashkëluftëtarë, kemi shikuar listat tona, arkivin tonë, që e posedon organizata jonë. Ky person rezulton të mos e ketë statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por as në ato listat pjesëmarrës i ushtrisë apo pjesëtar i UÇK-së. Ne jemi interesuar edhe me bashkëluftëtarë se mos ka informata të tjera që a ka qenë pjesëtar i UÇK-së, del se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e UÇK-së”, ka thënë Syla.

Teksa ka bërë thirrje që veteranët e UÇK-së të mos kalojnë nëpër Serbi, Syla është shprehur se për ta ka rrezik që të arrestohen edhe në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi. 

“Nuk ka garanci sot që njëra prej këtyre dy shteteve, qoftë Mali i Zi, qoftë Maqedonia, ta garanton ty që nuk do të arrestohesh në bazë të një fletarrestimi që ta lëshon Serbia. Kemi pasur përvojë edhe me shtete të Evropës që i kanë respektuar këto fletarreste të Serbisë. Prandaj, duke pasur parasysh faktin që Maqedonia e Veriut e ka një marrëveshje, dy ministritë e punëve të brendshme e kanë një marrëveshje për patrullim, qoftë policisë maqedonase në Serbi e qoftë asaj të Serbisë në Maqedoni”, ka thënë ai.

Syla ka shprehur kritika edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me arrestimin e shtetasve kosovarë në Serbi. Kritika për Qeverinë në detyrë ka adresuar edhe deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Vlora Çitaku.

“Fatkeqësisht, kjo është shndërruar në lajm të rregullt, sepse nuk është rasti i parë. Ka edhe ushtarë të tjerë që mbahen në burgjet e Serbisë. Qeveria në largim duhet të jetë më aktive. Misionet tona diplomatike duhet të jenë më të angazhuara për t’i përdorur mekanizmat ndërkombëtarë për lirimin e tyre. Ata nuk janë njerëz pa atdhe, nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe”, ka thënë Çitaku.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Salih Zyba, u ka bërë thirrje qytetarëve që të përcjellin rekomandimet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Është Qeveria përgjegjëse dhe e ka dhënë mesazhin e duhur. Duhet pasur kujdes të shtuar dhe duhet t’i përcjellin rekomandimet e Qeverisë, sidomos të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka theksuar Zyba.
Dy ditë më parë kryeministri në detyrë Albin Kurti në një konferencë për media ka bërë thirrje që mërgimtarët të shmangin kalimin nëpër Serbi, pasi që ka indikacione për provokime dhe për ndalime arbitrare nga autoritetet serbe.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Halilit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe se ai pritet që të dërgohet në prokurorinë përkatëse për t’u përballur me kallëzim penal.

Viteve të fundit në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, për të cilët Beogradi zyrtar ka pretenduar se kanë kryer krime të luftës.

Arrestimi i fundit ka ndodhur në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi më 18 korrik në Kosovë është arrestuar Igor Popoviq, ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë fjalimit në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.