Dy seanca do të mbahen të enjten - në njërën Kuvendi do t’i trajtojë pikat e papërfunduara të seancave të kaluara, ndërsa në tjetrën, përveç dy debateve parlamentare të kërkuara nga opozita për sigurinë në vend dhe punën njëvjeçare të Qeverisë, do të votohet edhe përbërja e Komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike dhe punësimet në KEK
Përpjekja e para dy jave e opozitës për themelimin e një Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, do të jetësohet. Partitë opozitare i kanë mbledhur 40 nënshkrimet me të cilat automatikisht do ta themelojnë Komisionin hetimor, të cilit si objekt hetimi do t’i shtohen edhe pretendimet e opozitës për abuzimet që kanë ndodhur me punësimet e fundit në KEK. Përbërja e tij pritet të votohet në njërën prej dy seancave të Kuvendit, që nga Kryesia u vendos që të mbahen të enjten e ardhshme.
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se pas raportimeve të shumta në media dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita për mundësinë e keqpërdorimit të konkursit të fundit në KEK nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë vendosur që edhe këtë çështje t’ia shtojnë Komisionit hetimor për trajtim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shumica ka hezituar dhe ka kundërshtuar formimin e një komisioni të tillë parlamentar. Ne nuk po nisemi me kurrfarë paragjykimi, është shumë e rëndësishme që të zbardhen të gjitha pretendimet që janë ngritur gjatë këtyre periudhave, për abuzimin, keqpërdorimin e parasë publike, qoftë me blerjen e energjisë elektrike, qoftë me prodhimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Për hetimin e punësimeve në KEK, ashtu si për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria, janë pajtuar edhe partitë e tjera opozitare. Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka theksuar se është e rëndësishme zbardhja e të dyja këtyre rasteve.
“Si opozitë ne i kemi mbledhur nënshkrimet dhe do të vendosim në seancën e së enjtes si temë themelimin e këtij komisioni. Është me rëndësi që trajtimi i çështjes së energjisë, trajtimi i çështjeve që tani po vijnë, edhe këto të punësimeve në KEK të trajtohen nga ky komision hetimor dhe të dalë e vërteta në shesh, cilado që të jetë ajo”.
Para rreth dy javëve në seancë ka dështuar të bëhet themelimi i këtij komisioni, meqë opozita nuk i pati votat e mjaftueshme, ndërsa kundër tij votoi partia në pushtet. Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, partia e tij nuk është kundër komisionit, porse ai nuk ka substancë për trajtim.
“Ne nuk kemi asgjë kundër këtij komisioni, madje edhe në seancën e kaluar kemi qenë të gatshëm, ç’është e vërteta edhe për ta themeluar, por pastaj diskutimi kishte devijuar nga vetë opozita duke prishur konsensusin e arritur paraprakisht për këtë komision. Sikurse që, natyrisht, në përmbajtje ne e konsiderojmë që ky komision nuk ka substancë, nuk ka objekt dhe i pabazuar në kërkesë”, ka deklaruar ai.
Në seancën e re të së enjtes do të ketë debat parlamentar në lidhje me njëvjetorin e udhëheqjes së Qeverisë Kurti, i thirrur nga PDK-ja. Tahiri tha se ky debat ka qenë i nevojshëm meqë konsideron se mungon transparenca e Qeverisë Kurti, pasi ekzekutivi nuk ka sjellë në Kuvend raport të punës njëvjeçare për këtë periudhë qeverisëse. Tahiri thotë se është i rëndësishëm debati për analizimin e punës së Qeverisë, ani pse vlerëson se nuk ka pasur kurrfarë përparimesh, vetëm regres dhe dështim.
Debati është ftuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me sigurinë në vend. Ndërsa në seancën tjetër të së enjtes Kuvendi do t’i trajtojë pikat e papërfunduara të seancave të kaluara, që kanë mbetur që nga 22 shkurti. Rendi i ditës i këtyre dy seancave është vendosur në mbledhjen e Kryesisë që është mbajtur të premten. Pas saj, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka komentuar shkurt edhe procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili është kritikuar nga shoqëria civile, si dhe nga ambasadat e huaja në Kosovë.
“Çfarëdo abuzimi që mund të ketë ndodh në zgjedhjen e kryeprokurorit ne absolutisht e dënojmë dhe nuk e përkrahim”, ka thënë shkurt ai.