Për rrezikimin e partneritetit me SHBA-në dhe aleatët e tjerë, përfaqësues të partive opozitare sërish i kanë drejtuar kritika Qeverisë. Sipas tyre, marrëdhëniet me partnerët nuk kanë qenë më keq prej kur ka hyrë në fuqi Rregullorja e BQK-së që ndalon dinarin serb. E, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se kritikat e SHBA-së janë gjithmonë me vend, por ka theksuar se raportet me shtetet aleate nuk janë për shqetësim
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u ka dhënë të drejtë përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për kritikat bërë Kosovës, pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore (BQK) që ndalon dinarin serb.
Megjithëkëtë, ai i ka vlerësuar si të ekzagjeruara deklarimet për lëndim raportesh të Kosovës me aleatët.
“Unë mendoj që nuk janë raportet për t’u shqetësuar dhe për të bërë panik. Unë mendoj që raportet janë përtej këtyre ndryshimeve në perceptim, që e kemi për atë se si të veprohet në veri të Kosovës. I mirëkuptojmë plotësisht ato vërejtje dhe kritika që na jep SHBA-ja. Janë gjithmonë kritika me vend”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
E, partitë parlamentare opozitare kanë përsëritur kritika në drejtim të Qeverisë, të cilën e kanë akuzuar se është duke rrezikuar raportet me aleatët kryesorë të shtetit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, përfaqësues të partive opozitare thanë se ka një keqmenaxhim të situatës nga Qeveria, pas futjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, që njeh vetëm euron si valutë për operacione me para të gatshme në Kosovë.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, u shpreh se janë lënduar raportet me BE-në dhe SHBA-në.
“Nuk është problemi që janë rrezikuar. Problemi është që marrëdhëniet e Kosovës me Unionin Evropian dhe SHBA-në kurrë s’kanë qenë më keq. Kjo është një temë që dihet botërisht. Kosova është nën sanksione, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e trajtojnë Kosovën jo partnere si përpara, por si palë e diskutimit”, ka thënë ai.
Njësoj kritika shprehu edhe deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Blerta Deliu - Kodra, e cila tha se përvjetori i sivjetmë i Pavarësisë është festuar pa miqtë ndërkombëtarë.
“Kemi kërkuar tash e sa kohë, në kohën kur Kosova është nën sanksione dhe kur Kosova çdo ditë e më shumë po i cenon aleancat me partnerët, vetëm të ketë koordinim dhe qartësi në rrugëtimin tonë euroatlantik”, ka thënë ajo.
Por, pavarësisht kritikave ndaj Qeverisë, përfaqësues të AAK-së kanë thënë se dinari serb nuk duhet të qarkullojë në Kosovë.
“Dinari nuk mundet dhe nuk guxon as në pjesën veriore dhe në asnjë pjesë të Kosovës me qenë valutë”, ka thënë Besnik Tahiri.
E, në PDK edhe mbi 20 ditë prej kur ka hyrë në fuqi Rregullorja, ende nuk e kanë ndarë mendjen nëse duhet ose jo të ndalohet dinari.
“Ne kemi thënë që të ketë koordinim, sepse e thashë, vendimi është kushtetues, por nuk mund të ecim tutje nëse si Kosovë nuk i koordinojmë agjendat tona me partnerët tanë”, ka thënë deputetja Blerta Deliu-Kodra.
Deklarimet u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila dështoi në mungesë kuorumi, meqë prezentë nuk qenë nënkryetarët Saranda Bogujevci e Kujtim Shala.
Opozita drejtoi kritika ndaj pushtetit edhe për menaxhimin me punën e Kuvendit. Me kompetencë të kryetarit u caktua vazhdimi i seancës për ditën e enjte, me 30 pika në rend dite, të grumbulluara nga seancat e kaluara.