LAJMET E MBRËMJES

Opozita e akuzon Qeverinë për abuzim me kontrata njëburimore

Me fyerje mes deputetësh është përcjellë debati gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, që është thirrur nga Lidhja Demokratike, për të shqyrtuar propozim-rezolutën që i referohet numrit të madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Ofendimet u përshkallëzuan deri në vërsulje mes deputetëve, për çka Vetëvendosje e ka braktisur sallën, ndërsa seanca ka përfunduar pa e miratuar rezolutën

Deri në vërsulje mes deputetëve ka shkuar debati i jashtëzakonshëm parlamentar të enjten, ku ishte planifikuar të diskutohej për “numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.

Kjo ndodhi kur eksponentë politikë të pushtetit e ligjvënës opozitarë, nisën të përplasnin argumentet e tyre për kontratat e nënshkruara pa njoftime publike.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e akuzoi Qeverinë për abuzim me paranë publike.

“Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Kontratat me negocim të drejtpërdrejtë edhe pse të lejuara në ligjin e prokurimit publik në kushte shumë specifike të përcaktuara në ligj, gjatë këtij mandati po dalin që të jenë metodë e abuzimit me paranë publike dhe dëmtim i rënë i konkurrencës së drejtë në treg”, ka thënë ajo.

Derisa pushteti kundërargumentoi duke përmendur kontratat e qeverisjeve të kaluara, opozita e pengoi fjalimin me zhurmë në seancë.

Deputetja e LVV-së, Arta Bajralia, e quajti kauzë false thirrjen e opozitës për të diskutuar në seancë për këtë çështje, e cila tha se raporti i auditimit për këto kontrata është publik që disa muaj.

“Ka dhjetë muaj që raporti është publik dhe nuk është thënë asnjë fjalë në lidhje me të dhe tani po e trajtojmë në një seancë të jashtëzakonshme, një raport që do të vinte gjithsesi në seancë të rregullt. S’e kuptoj se ku është relevanca e kësaj seance dhe opozitëbërjes tuaj. Numri më i madh i kontratave të negociuara janë në vitin 2015, me 16 për qind, pikërisht në vitin kur zonja Bajrami ka qenë ministre e Tregtisë, ndërsa Isa Mustafa kryeministër”, ka thënë ajo.

Zhurmën e opozitës gjatë fjalimit të Bajraliut, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, e quajti frikë për ballafaqim me trashëgiminë e tyre.

“Ju në mungesë të forcës ose guximit për t’u ballafaquar me të bëmat tuaja, filluat të bëni zhurmë”, u shpreh ajo.

Rezolutës së prezantuar nga LDK-ja që mes tjerash kërkonte raportim me shkrim të ministrave për numrin dhe arsyet e lidhjes së kontratave, Partia Demokratike propozoi t’i shtohet edhe kërkesa për themelimin e një Komisioni Hetimor për këtë çështje.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nga hulumtimi i bërë në shtatë institucione del që vlera totale e kontratave të nënshkruara për 2022-tën e 2023-tën është 153 milionë euro.

“Në total për dy vjet kapin shumën mbi 153 milionë apo 220 kontrata. I përmenda vetëm shtatë institucione dhe kjo është më se e qartë që kemi një arsyeshmëri të mjaftueshme që ta nisim një komision hetimor për ta bërë një hetim për këto kontrata... Me aq sa kemi parë në hulumtimin tonë, ka material të mjaftueshëm për prokurori. Hetimi parlamentar do t’i procedojë në prokurori të gjitha ato kontrata që shohim që ka arsyeshmëri të mjaftueshme, që ka elemente penale”, ka thënë ai.

Sqarime mbi këto kontrata kërkoi shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, që i quajti ato “lidhje të shkurtra të dyshimta mes autoritetit kontraktues dhe operatorit”.

“Po kërkojmë që këta ministra të vijnë e të raportojnë për çfarë arsye i kanë nënshkruar këto kontrata njëburimore sepse ka dyshim për korrupsion”, u shpreh ai.

Por, ministri Liburn Aliu tha se e kanë ftuar atë të raportojë ndonëse, sipas tij, ministria që drejton ka vetëm një kontratë njëburimore.

“Kam kënaqësinë të drejtohem para jush edhe pse nuk e di për çka më keni thirrur. A po e tërhiqni këtë seancë të thirrur një herë tjetër e vijmë si formacion krejt Qeveria. Unë kam 0.8 për qind. Nuk mund të përgjigjem për të”, u shpreh ai.

Deklarata nxiti reagim.

“Ministër, ose nuk e ke lexuar materialin ose të kanë qitur në lajthitje. Ne nuk të kemi thirrur ty në raportim. Nuk ka të bëjë kjo vetëm me ministrinë tënde”, ia ktheu deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Ministri e lëshoi seancën, pas të cilit debati mes deputetëve të LVV-së e LDK-së u tensionua.

“Ai ministri që iku që mundohet me u tregu i pastër, a e dini kur ia ka ndërruar vendin drejtorit të prokurimit, kur thesari amerikan e ka shti në listë të zezë. Këta jeni ju”, u shpreh deputetja Hykmete Bajrami.

Bajrami tha se tri herë ka qenë ministre e nuk ka nënshkruar asnjë kontratë njëburimore.

Por, deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, ia përmendi disa të nënshkruara nga ministritë që ajo i kishte drejtuar.

“Nuk i kam nënshkruar unë, ke gënjyer, nuk e kam nënshkruar”, tha ajo, por nuk u mjaftua vetëm me fjalën e saj në foltore.

Duke e quajtur gënjeshtar e hajn, deputetit të LVV-së i shkoi deri te ulësja e iu vërsul.

Fjalët që deputetja i tha në drejtim të mazhorancës, pushteti i përdori si arsye për ta lëshuar sallën e mbledhjeve plenare.

“Nëse nuk duan të diskutojnë me argumente, në emër të grupit parlamentar të LVV-së e lëshojmë këtë seancë. Nuk mund të vazhdojmë me ofendime”, u shpreh deputetja Mimoza Kusari.

Por, në seancë qëndruan dy deputetë të LVV-së, Eman Rrahmani e Visar Korenica. Korenica shprehu gatishmërinë që ta nënshkruajë themelimin e Komisionit Hetimor për t’i hetuar kontratat njëburimore.

Për shkak se fyerjet në drejtim të pushtetit vazhduan, nga kryesimi i seancës u tërhoq edhe nënkryetarja Saranda Bogujevci duke e lënë sallën me deputetë krejtësisht nga opozita. Kësisoj edhe pas më shumë se një ore debat, seanca përfundoi dhe rezoluta nuk arriti të votohej për mungesë kuorumi.