LAJMET E MBRËMJES

Opozita do të kundërshtojë shtrenjtimin e rrymës, pushteti kërkon forma të mos dëmtohen qytetarët

Disa ditë para se të merret vendimi nëse çmimi i energjisë elektrike do të shtrenjtohet apo jo, partitë kanë shpalosur qëndrimet e tyre. Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë të hënën se do të bëjnë të pamundurën që të mos lejojnë të rritet çmimi i energjisë, derisa folën edhe për mënyrat se si do të veprojnë. E nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thanë se duhet të gjenden forma që rritja eventuale e çmimit të rrymës të mos ndikojë te qytetarët

Në forma të ndryshme planifikohet të kundërshtohet rritja eventuale e çmimit të energjisë elektrike nga subjektet politike.

Dy partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, janë deklaruar kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të merret një vendim i tillë para 1 prillit.

Derisa nga PDK-ja thanë se do t’i drejtohen sërish gjykatës, në AAK nuk specifikuan veprimet që do ndërmarrin.

“Do ta kundërshtojmë në proces gjyqësor ngritjen e energjisë elektrike sepse është i dëmshëm dhe është i pabazuar kjo kërkesë që tashmë po e trajton Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike”, është shprehur shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se janë kundër shtrenjtimit dhe se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që të ndalojmë rritjen e çmimit të energjisë”.

E nga partia në pushtet, Vetëvendosje, thonë se u mbetet institucioneve që të gjejnë mundësi që nga rritja eventuale e tarifave të energjisë të mos preken qytetarët.

“Mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë propozimi final për modelin e tarifave të energjisë elektrike dhe natyrisht që mbetet në trajtim edhe nga ana e qeverisë, e cila është forma më e mirë për të ulur ndikimin negativ që mund të kenë te familjet kosovare në veçanti tek ato me të hyra më të ulëta”, ka theksuar shefja e deputetëve të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila.

Në konferencën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën deputeti Abelard Tahiri kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për inicimin e themelimit të Komisionit hetimor për dhunën ndaj grave.

E me iniciativë të AAK-së javën tjetër, deputetët do të diskutojnë për qeverisjen dyvjeçare të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.