LAJMET E MBRËMJES

OEK-u paralajmëron kallëzim penal ndaj ZRRE-së për moszbatim të vendimit të Supremes

Oda Ekonomike e Kosovës ka paralajmëruar se do të ushtrojë kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji për, siç ka thënë, moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë të bizneseve. Sipas OEK-ut, Supremja ka konstatuar qartësisht se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin. Në ZRRE nuk janë përgjigjur rreth këtij paralajmërimi

Oda Ekonomike e Kosovës ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, nëse brenda 5 ditësh nuk zbaton vendimin e Gjykatës Supreme për liberalizimin e energjisë.

Kjo shoqatë e ka bërë Fejzullahun përgjegjës për pengimin e zbatimit të vendimit të formës së prerë të gjykatës, duke thënë se vendimi i Supremes po keqinterpretohet.

“Gjykata Supreme ka konstatuar qartësisht se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit. Vendimi shfuqizon dispozitat kyç të udhëzuesve për liberalizim dhe konstaton pavlefshmërinë e aktit njoftues. Megjithatë, komunikata e ZRRE-së e datës 18.11.2025 tenton ta relativizojë këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e OEK-ut.

Sipas OEK-ut, vendimi i Supremes është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik dhe se çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Kosovës.

KOHA ka kërkuar nga ZRRE-ja një qëndrim rreth paralajmërimit të OEK-ut, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së hënës.

Ndërkohë në komunikatën e ZRRE-së të 18 nëntorit thuhej se Supremja ka hedhur poshtë kërkesëpadinë për shpalljen e paligjshme të njoftimit publik për liberalizimin e tregut të energjisë dhe se procesi vazhdon.  

“Bazuar në pikën IV të Aktgjykimit është hedhur poshtë kërkesëpadia e paditësit, përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e njoftimit publik për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, po ashtu është hedhur poshtë edhe kërkesëpadia për korrigjimin e faturave, si dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave individuale për konsumatorët jofamiljarë, si të palejueshme. Rrjedhimisht, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas ZRRE-së, Supremja i ka shfuqizuar dy dispozita të Udhëzuesve për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të viteve 2017-2019, pasi që ka konstatuar se ato nuk janë të harmonizuara me legjislacionin e energjisë. ZRRE-ja në komunikatën e 18 nëntorit ka thënë se është duke ndjekur procedurat e brendshme ligjore për shfuqizimin e këtyre dispozitave.

“Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtën për furnizim me energji elektrike me tarifa të rregulluara e gëzojnë vetëm konsumatorët që kualifikohen për Shërbim Universal. E drejta e furnizimit me tarifa të rregulluara nga ZRRE, në bazë të vendimit të ZRRE-së për tarifa me pakicë për vitin 2025 – që është konsideruar i ligjshëm nga Gjykata – nuk është bazuar në dispozitat e shfuqizuara të udhëzuesit”, thuhet në komunikatë.

Në pajtim me pikën IV të Aktgjykimit, ZRRE-ja ka theksuar se do t’i shfuqizojë dispozitat e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut. Sipas ZRRE-së, Gjykata Supreme ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për shërbim universal, që thuhet se është në përputhje të plotë me vendimin e Bordit të ZRRE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC. 

“ZRRE-ja sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal. Rrjedhimisht, Ligji për Energjinë Elektrike përcakton që këta konsumatorë duhet të furnizohen në treg të hapur. Furnizimi me energji elektrike në treg të hapur i këtyre konsumatorëve është detyrim ligjor që tejkalon kompetencat e ZRRE-së”, thuhet në komunikatë.

Por, sipas vendimit të Supremes, ky njoftim nuk është akt normativ.

E për këtë Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të kthehen bizneset e prekura në shërbimin universal dhe t’u rillogariten faturat e prekura në shërbim universal.

Mospërmbushja e këtij vendimi, sipas kësaj shoqate, dëmton bizneset, besueshmërinë e investitorëve, stabilitetin ekonomik dhe sigurinë juridike në sektorin energjetik.

ZRRE-ja në mars kishte njoftuar për daljen në treg të lirë të bizneseve të mëdha. Ky njoftim dhe procesi në tërësi është atakuar nga bizneset dhe subjektet politike në gjykata.

Një lëndë rreth kësaj çështjeje është ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së deponuar nga Partia Demokratike e Kosovës.