Në Mitrovicë të Veriut, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vendosur tabela me emra të rinj të rrugëve, por ky veprim është kundërshtuar nga komuna. Kryetari i saj, Millan Radojeviq, i ka mbuluar tabelat me mbulesa të holla, teksa veprimin e ka quajtur provokues dhe të paligjshëm
Ministria e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor ka vendosur të mërkurën tabela të reja për disa nga rrugët në Mitrovicën e Veriut, të banuar kryesisht me serbë.
Por kryetari i kësaj komune, që i takon Listës Serbe, Millan Radojeviq, bashkë me disa persona të tjerë, i kanë mbuluar ato duke u hedhur sipër mbulesa, gjë që ka shtyrë Policinë të intervenojë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabelat me emërtime si “Zoran Gjingjiq” e “Isa Boletini”, ndërsa e pranishme ishte edhe ministrja në detyrë, Fitore Pacolli.
Sipas saj, 88 rrugë janë riemërtuar me vendim të Kuvendit komunal të kësaj komune, vitin e kaluar, dhe se të mërkurën është kryer vetëm ana teknike.
“Ky është një projekt që i takon ministrisë. Kështu që, sa herë që unë, si ministre, çfarëdo projekti që bëj, e bëj si ministre, jo me komunën, sepse komuna e ka marrë tashmë këtë vendim. Pra, ky është një vendim që komuna e ka marrë, dhe unë si ministri dhe Agjencia e Kadastrës jemi të detyruar të bëjmë punën teknike”, ka thënë ajo. “Pra, të financojmë projektin dhe ta përfundojmë, ta zbatojmë atë. Kështu që ne po e bëjmë këtë. Është një punë teknike që po bëjmë”.
Pacolli hodhi poshtë pretendimet se vendosja e tabelave lidhet me zgjedhjet e afërta apo fushatën zgjedhore.
E riemërtimet e rrugëve janë quajtur të paligjshme nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq. Sipas tij, vendimi i Kuvendit komunal të mandatit të kaluar është shfuqizuar nga asambleistët e mandatit të tashëm.
“Edhe sot patëm një akt tjetër propagandistik të Lëvizjes Vetëvendosje. Siç mund ta shihni vetë, tabelat janë vendosur në mënyrë të paligjshme, joligjore dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Siç dihet gjerësisht, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut më 30 janar miratoi një vendim me të cilin shfuqizoi aktin paraprak për riemërtimin e rrugëve, sepse ai ishte miratuar në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ishte zhvilluar debat publik, nuk kishte komision multietnik dhe asnjë serb nuk kishte marrë pjesë në punën e atij komisioni. Prandaj, ato vendime ishin plotësisht të kundërligjshme dhe të paligjshme”, ka thënë Radojeviq.
Policia ka njoftuar se nuk ka iniciuar ndonjë rast për mbulim të tabelave e ministrja në detyrë Pacolli, pas aksionit ka dalë edhe me një reagim në rrjetet sociale.
“Eksponentë të kësaj nomenklature me veprimet e Listës Serbe duan të godasin Qeverisjen tonë. Edhe ata atje dhe këta këtu siç duket i pengon shumë që më në fund në veri kemi rrugë me emrin ‘Isa Boletini’”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Vendimi për riemërtim të dhjetëra rrugëve në Mitrovicë të Veriut ishte marrë në kohën sa kjo komunë udhëhiqej nga Edren Atiq i Vetëvendosjes.