LAJMET E MBRËMJES

Një serb dëshmon lidhur me pretendimin se u ndalua e u keqtrajtua nga UÇK-ja

Dëshmitari i radhës në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë, ishte një serb. Prokurorja e prezantoi atë si banor të Prizrenit dhe tha se është ndaluar e keqtrajtuar nga anëtarët e UÇK-së

Dëshmitari i mbrojtur, i 47-ti me radhë, ka dëshmuar lidhur me pretendimin e tij për keqtrajtim nga pjesëtarë të UÇK-së në qershor të vitit 1999 në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai ka folur serbisht, derisa shumica e dëshmisë së tij ishte e mbyllur për publikun. Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Sarah Clanton, e prezantoi dëshmitarin si banor të Prizrenit, që sipas saj, është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.

“Dëshmitari me numër 02749 ka qenë banor i Prizrenit. Në qershor 1999 është rrëmbyer dhe rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së. Është dërguar në një ndërtesë të përdorur nga UÇK-ja, ku është marrë në pyetje dhe është rrahur më pas. Gjatë ndalimit ai i ka vërejtur edhe personat e tjerë të ndaluar dhe është liruar nga një ushtar UÇK-së”, tha ajo.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, e pyeti dëshmitarin se si e përshkruan atë që e quajti kaos pas çlirimit të Prizrenit.

“Kaotike ishte. Që nga momenti kur hyri KFOR-i në qytet dhe kur u tërhoqën nga Kosova forcat ushtarake të Serbisë. Gjatë kohës kur KFOR-i u vendos aty kishte eufori, festime nëpër rrugë, dilnin njerëzit nga shtëpitë, gjuanin me armë, ushtarët e UÇK-së vinin vërdallë në qytet nëpër vetura duke shtënë me armë, pra kishte kremtime. Nga ana tjetër, njerëzit e etnive të tjera ishin të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe nuk e dinin se ç’do të ndodhte me ta. Pra ishte vërtetë kaos”, deklaroi dëshmitari.

Trupi gjykues ka paralajmëruar se do t’ua shpërndajë palëve një orar të ri të seancave.

Si Zyra e Prokurorit, ashtu edhe mbrojtja, siç tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ia kanë tepruar me pyetje pa lidhje.

E mbrojtësi i Thaçit, Luka Mishetiq, theksoi se edhe prokuroria duhet ta ulë numrin e dëshmitarëve.

Të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë për krime të luftës.