LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim të dyshuarit për dhunimin e një të miture në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër D.S., 19-vjeçar nga fshati Sojevë i Ferizajt, i dyshuar për dhunimin e një 14-vjeçareje. Seanca për këtë çështje është mbajtur me dyer të mbyllura për media, të martën.

Kryeprokurori Shukri Jashari, nëpërmjet telefonit, ka thënë për KOHËN se ndaj të dyshuarit është paraqitur kërkesa për paraburgim dhe se i njëjti nuk ka të kaluar kriminale.

“Nëna e së miturës e ka lajmëruar rastin se vajza e saj ka dalë nga shtëpia, ndërkohë është identifikuar vendndodhja e saj. I dyshuari është 19-vjeçar, ndërkaq dyshohet se e dhunuara nuk ka shkuar me detyrim tek ai”, ka thënë shkurt Jashari.

Gentiana Hoxha, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka thënë për KOHËN se janë iniciuar të gjitha procedurat në këtë rast.

“Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe gjyqtari i çështjes, pas mbajtjes së seancës paraprake, ka marrë vendim me të cilin të pandehurit D.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, i është caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, sipas raportit të Policisë së Kosovës, rastin e ka lajmëruar nëna e së miturës.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se vajza e saj ka dalë nga shtëpia dhe se ajo nuk dinte për vendndodhjen. Njësitë policore kanë arritur të gjejnë viktimën. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

KOHA ka kontaktuar edhe me avokatin e të dyshuarit, Bekim Musës, i cili ka thënë se është kundërshtuar masa e paraburgimit.

“Nga Prokuroria Themelore e Ferizajt është kërkuar që ndaj të dyshuarit të aprovohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ne si mbrojtje e kemi kundërshtuar këtë kërkesë, pasi që në këtë fazë të procedurës nuk ka prova bindëse se klienti im e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet”, ka thënë Musa.