Sulmi ka ndodhur rreth orës 01:20 të së enjtes, kur dy sulmues hynë në një lokal në Runik, në të cilin organizohen mbrëmje me muzikë live, dhe nisën të shtinin në drejtim të klientëve, duke e lënë të vrarë një 39-vjeçar dhe të plagosur edhe tre persona të tjerë. I vdekuri është identifikuar nga dëshmitarët si i biri i pronarit të lokalit, në të cilin punonte si kamerier. Tre të plagosurit, të cilët ishin klientë, morën lëndime serioze, ndërsa njërit prej tyre i është amputuar këmba
Dera në hyrje të një lokali nate është bërë shoshë nga plumbat e shkrepur prej armës së zjarrit, gjatë sulmit të ndërmarrë nga dy persona të maskuar në orët e para të së enjtes në Runik të Skenderajt, në të cilin ka mbetur i vdekur një person.
Sulmi ndodhi rreth orës 01:20, kur sulmuesit hynë në lokalin, në të cilin organizohen mbrëmje me muzikë live, dhe nisën të shtinin në drejtim të klientëve, duke e lënë të vrarë një 39-vjeçar dhe të plagosur edhe tre persona të tjerë. I vdekuri është identifikuar nga dëshmitarët si i biri i pronarit të lokalit. Ai aty punonte si kamerier.
Tre të plagosurit, të cilët ishin klientë, morën lëndime serioze ndërsa njërit prej tyre i është amputuar këmba.
Avdush Bajgora, mjek kujdestar në Emergjencën e Qendrës Klinike Uuniversitare (QKUK), ka bërë të ditur se i plagosuri, të cilit i është amputuar këmba, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësor. E për dy të plagosurit e tjerë ka thënë që, megjithëse kanë lëndime serioze, janë në gjendje stabile porse njëri do të dërgohet për trajtim jashtë Kosovës.
“Në qendrën emergjente kanë kërkuar ndihmë tre pacientë si rezultat i lëndimit me armë zjarri nga të cilët njëri i është nënshtruar intervenimit kirurgjikal dhe ndodhet në mjekim intensiv. Njëri nga pacientët është dërguar në Klinikën e Ortopedisë, ndërsa njëri pritet se do të vazhdojë trajtimin jashtë vendit. Lëndimet kanë qenë serioze ndërsa sa i përket parametrave vitale, flas gjithmonë për pacientët të cilët kanë qenë në reanimacion, parametrat janë stabile, ndërsa lëndimet janë serioze”, ka thënë ai.
Përgjegjësit për sulmin e së enjtes në mëngjes nuk janë kapur nga Policia dhe ndodhen në arrati.
Dëshmitari i ngjarjes, Musa Gashi, ka thënë ta ketë parë vetëm njërin nga sulmuesit tek shtinte me armë. Atë e përshkroi si burrë që në kokë bartte një maskë të zezë dhe që kishte të veshur një xhup ushtarak.
Gashi ka theksuar se në momentin e sulmit kryerësit nuk e kanë pasur një cak të caktuar, porse kanë shtënë me armë gjithandej lokalit. Teksa ka thënë se janë shkrepur rreth 50 plumba, Gashi e ka kualifikuar si “fat në fatkeqësi” faktin që në momentin e sulmit në lokal nuk ndodheshin më shumë se 10 deri në 12 persona.
“Ka qenë ora 1:20 e natës. Kemi qenë duke pirë këtu në lokal, dhe ka hyrë një person, ka shtënë me Kallashnikov. Ishte i maskuar dhe e ka pasur të veshur një jakne të ushtrisë me lara. Ka shtënë në drejtim të njerëzve, pa marrë parasysh kush ka qenë aty. Personi i parë që është rrokur ka qenë kamerieri, që ka qenë afër derës, dhe kanë qenë edhe tre të plagosur”, ka përshkruar ai momentin kur ka ndodhur sulmi i armatosur.
Nga tmerrimi i përjetuar, Gashi ka thënë se nuk ka qenë në gjendje që të shohë se në çfarë drejtimi janë larguar sulmuesit.
“Pesë minuta ne nuk kemi guxuar të ngrihemi nga vendi fare. Nuk e di a kanë qenë me veturë apo në këmbë”, ka vazhduar ai.
Në një video të shpërndarë në rrjete sociale nga një dëshmitar i rastit janë shpërfaqur pamjet e ngjarjes, vetëm pak minuta pas sulmit. Aty shihen persona të tronditur tek dalin në nxitim jashtë lokalit. E brenda tij, krejt afër derës, shihet trupi i pajetë i personit të vrarë, e matanë edhe të plagosurit, njëri prej të cilëve, i shtrirë përtokë.
Viktima e këtij sulmi ka lënë prapa vetes tre fëmijë. Dëshmitari Gashi ka thënë se ai ka mbetur i vdekur pasi ka marrë katër plumba në gjoks.
Në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar se sa plumba janë shkrepur gjatë sulmit dhe se me sa plumba është vrarë viktima, por kanë treguar se në vendin e ngjarjes janë mbledhur gëzhoja të disa fishekëve.
Në njoftimin nga Policia është bërë e ditur se hetuesit e sektorit rajonal janë duke punuar intensivisht në identifikimin dhe në arrestimin e kryerësve, si dhe në zbardhjen e plotë të rastit.
“Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Të gjitha veprimet e ndërmarra policore janë udhëhequr nga prokurori i rastit, i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, është thënë në njoftimin e Policisë.
Vrasja në Runik të Skenderajt është e treta që ka ndodhur brenda lokaleve të natës e kafiterive të ndryshme në Kosovë gjatë një harku kohor prej një jave.
Në Polici kanë bërë të ditur se gjatë shtatë muajve të fundit, nga janari e deri në korrik, në Kosovë janë vrarë 14 persona me armë zjarri.
“Gjatë vitit 2021 janë raportuar 27 raste, në vitin 2022 janë raportuar 21 raste dhe në periudhën janar-korrik janë raportuar 14 raste”, kanë thënë nga Policia në një përgjigje për KOHËN.
Sipas statistikave të Policisë, brenda vitit 2023 organet e rendit kanë konfiskuar 636 armë, teksa vitin e shkuar ishin konfiskuar 1.473 e më 2021, 1.280 syresh.