Kudo ku jetojnë, shqiptarët kremtuan 28 Nëntorin. Ceremonia qendrore u organizua në Vlorë, aty ku 113 vjet më parë u ngrit flamuri shqiptar dhe Shqipëria u shpall shtet i pavarur.
Në qytetin ku 113 vjet më parë u ngrit flamuri shqiptar, u organizua kremtja qendrore për festën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit që u mbajt në Vlorë, presidentja Vjosa Osmani iu bashkua liderëve të Shqipërisë, homologut të saj Bajram Begaj, kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe kryeministrit Edi Rama.
Ata bënë nderime dhe vunë kurora lule te Monumenti i Pavarësisë.
Pas ceremonisë, krerët shtetërorë u përshëndetën edhe me qytetarë, të cilët të shumtë në numër iu bashkuan festimeve për shënimin e 28 Nëntorit.
Në ceremoni munguan fjalimet.
E në rrjete sociale, krerët shtetërorë uruan për Ditën e Pavarësisë.
“113 vjet më parë, në Vlorë, një flamur u ngrit dhe bashkë me të u ngrit edhe një komb. Sot, në ceremoninë e ngritjes së flamurit me emocione, nderimin për themeluesit tanë, mirënjohjen për ata që sakrifikuan dhe krenarinë për rrugëtimin tonë evropian”, ka shkruar kryeparlamentari i Shqipërisë, Niko Peleshi.
Në urimin e saj, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar rëndësinë historike të ngjarjeve të nëntorit.
“Sot, kur e ngremë përsëri këtë flamur kuqezi, nderojmë jo vetëm Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe sakrificën e gjithë kombit, nga Vlora në Prishtinë, nga Shkodra në Shkup, në Mitrovicë, Preshevë e Ulqin, në mërgatë e kudo që rreh zemra shqiptare”, ka thënë Osmani.
Përveç Vlorës, përvjetori i 113-të i Pavarësisë së Shqipërisë u festua edhe në qytete të tjera.